Pakënaqësi në Prizren me vendimin e Gjykatës për Ramadan Mujën

  • 01 September 2015 - 19:35
Pakënaqësi në Prizren me vendimin e Gjykatës për Ramadan Mujën

Në Prizren nuk janë fare të kënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit për kryetarin Ramadan Muja. Të hënën kjo Gjykatë ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin me arsyetimin se kishte shkelje procedurale.

Kjo për qytetarët aktivë të Prizrenit që vitin e kaluar protestuan për dorëheqjen e Mujës është bërë qëllimshëm, për t'ia mundësuar përfundimin e mandatit.

Për këtë ata paralajmërojnë aksione e protesta në kundërshtim të vendimit.

Vendimi, sipas shoqërisë civile në Prizren, është një arsye më shumë që Muja të lirojë pozitën.

Por, Ramadan Muja që është kryetar nga radhët e PDK-së, nuk do të japë dorëheqje dhe pritet që në këtë pozitë të qëndrojë deri në përfundim të mandatit.

Këtë ia ka konfirmuar KTV-së, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha. Siç ka thënë ai, Komuna e Prizrenit do të vazhdoj në përmbushjen e projekteve në krye me Ramadan Mujën, transmeton KTV.

Opozita në Prizren e vlerëson të ndikuar vendimin e Gjykatës së Apelit.