Sekretet e errëta të trenit nazist të mbushur plot me ar (Foto)

  • 02 September 2015 - 07:47
Sekretet e errëta të trenit nazist të mbushur plot me ar (Foto)

Një 85-vjeçar i cili e kaloi gjysmën e jetës së tij në kërkim të trenit të humbur nazist të mbushur plot me ar, ka rrëfyer vrasjet, kërcënimet policore dhe rrëfimin e fundit në shtratin e vdekjes që çoi në zbulimin e tij pas 70 vjetësh, brenda një kodre, në një tunel të harruar në Poloni.

Tadeusz Slowikowski (85) thotë se njeh jo vetëm identitetin e dy personave të cilët 2 javë më parë treguan se e kishin gjetur trenin nazist, por edhe identitetin e personit, që në një rrëfim të fundit në shtratin e vdekjes, ka treguar vendndodhjen e thesarit nazist.

Tadeusz Slowikowski ka rrëfyer për ‘Daily Mail’ se për herë të parë ka dëgjuar për trenin e fshehur në tunel dhe historinë e tij të errët dhe të rrezikshme në vitin 1950.

“U vura në dijeni për ekzistencën e tunelit pasi shpëtova një gjerman me emrin Schultz teksa po sulmohej nga dy burra të tjerë. Në shenjë mirënjohjeje ai më tregoi për historinë e tunelit, rrëfim që bazohej në historinë e një tjetër bashkëkombësi të tij, i cili i kishte treguar sekretin teksa gjendej në shtratin e vdekjes”, ka rrëfyer 85-vjeçari.

“Shumë gjermanë punonin në këtë zonë për të nxjerrë jetesën (bëhet fjalë për periudhën pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore) dhe personi në fjalë punonte në hekurudhë ku u ndesh për herë të parë me hyrjen e tunelit”, rrëfen më tej Slowikowski.

“Ai pa dy kamionë të futeshin në tunel, hyrja e të cilit u bllokua vetëm pak kohë më vonë. Por ai nuk e hapi gojën asnjëherë (deri përpara se të vdiste), pasi druante se mund të kishte të njëjtin fat me një familje të tërë që u vranë një nga një me gjakftohtësi për faktin e vetëm se e kishin shtëpinë pranë tunelit dhe kishin dijeni për ekzistencën e tij”.

Kështu, plaku gjerman, përmes Schultz, i kishte treguar Slowikowski sekretin e trenit nazist të mbushur plot me ar, të cilin gjermanët ua kishin vjedhur çifutëve përpara se t’i vrisnin.

Që nga ajo kohë Slowikowski nisi gjuetinë në kërkim të thesarit.

Por siç rrëfen hasi shpesh në kërcënime nga persona të veshur me uniforma policie.

“Mesa duket, kishte ende njerëz që donin me çdo kushte që treni të mos gjendej”, thotë 85 vjeçari.

Roman Szelemej, kryebashkiaku i qytezës Walbrzych, ku mendohet të jetë vendndodhja e trenit, u ka bërë thirrje njerëzve të heqin dorë nga kërkimet individuale për trenin e humbur derisa procedurat zyrtare të përfundojnë, pasi sipas ekziston një mundësi e madhe që treni të jetë i minuar dhe jeta e tyre të vihet në rrezik.