Dhjetë njerëzit që i mbijetuan të pamundurës

  • 02 September 2015 - 21:42
Dhjetë njerëzit që i mbijetuan të pamundurës

Është me të vërtetë e çuditshme dhe mahnitëse se çka është në gjendje të bëjë njeriu kur gjendet përballë rrethanave të paimagjinueshme, transmeton Kosova Sot.

1. Tetari Matthew Croucher – shpëtoi ushtarët e vet duke u hedhur mbi një granatë

Kur armiku ta gjuan një granatë, gjasat që të mbijetoni janë të vogla. Por, tetari Matthew Croucher sjell një storie tjetër. Kur ky ushtar britanik 24-vjeçar gjendej në Afganistan në vitin 2008, dhe shkeli në një tel, duke aktivizuar aksidentalisht një granatë, atij i duhej të vepronte shpejt, me qëllim të shpëtimit të ushtarëve të tij. Pasi që bërtiti “granatë”, ai u hodh me trup mbi të. Falë fatit, midis trupit të tij dhe granatës u gjet çanta e tij, e cila absorboi pjesën më të madhe të goditjes së shpërthimit. Në vend që të bëhej copë e grimë, ai u hodh lart nga shpërthimi dhe shpëtoi pa lëndime serioze.

Image

2. Reshma Begum – mbijetoi 17 ditë nën rrënojat e një fabrike

24 prilli i vitit 2013 ishte ditë fatale për punëtorët e një fabrike veshjesh në Bangladesh, pasi që më shumë se 1000 sish humbën jetën në një aksident të rëndë. Ndërtesa ku punonin ata u shemb, pak kohë pasi që aty hynë të 3000 punëtorët e saj. Por, ngjarja më e çuditshme në këtë mes është mbijetimi i gruas së quajtur Reshma Begum, e cila u gjet e gjallë 17 ditë pas aksidentit. Ndoshta ajo mbijetoi meqë gjendej në katin e tretë, kështu që nuk i ra shumë material përmbi.

Image

3. Një vajzë katër muajsh mbijetoi tri ditë pasi që Japonia u godit nga cunami

Tërmeti dhe cunami të cilët goditën brigjet e Japonisë morën me mijëra jetë për një periudhë të shkurtër. Shpëtuesit kishin humbur shpresën se do të gjenin dikë të gjallë, kur, tri ditë pas fatkeqësisë, ata dëgjuan vajin e një bebeje që gjendej nën rrënoja. Pasi që larguan rrënojat, ata gjetën një bebe katër muajsh pa lëndime evidente. Mbetet mister si mbijetoi kjo bebe. Ajo më pas u bashkua me familjen e saj.

Image

4. Alpinisti britanik shpëton nga orteku, i cili e kishte bartur 700 metra teposhtë

Një britanik, emri i të cilit nuk dihet, ia doli që të mbijetonte nga një ngjarje e paimagjinueshme. Derisa ishin duke zbritur nga bjeshka Mount Blanc, e cila është njëra ndër bjeshkët më të rrezikshme në Alpe, për shkak të ortekëve të shpeshtë, tre alpinistë vërejtën se ishte duke ardhur një ortek i madh. Dy prej tyre arritën që të iknin, derisa i treti nuk e pati atë fat. Meqë në këtë bjeshkë çdo vit jetën e humbin rreth 100 njerëz, edhe ai rrezikonte që të bëhej pjesë e kësaj statistike, por falë qëndrueshmërisë së vetë, ai për mrekulli i iku vdekjes. Derisa orteku binte teposhtë, britaniku e kishte përqendruar tërë energjinë që të mbetej në sipërfaqe të ortekut, në mënyrë që të dilte pasi të ndalej orteku, gjë që edhe e bëri. Ai shpëtoi pa lëndime serioze.

Image

5. Matthew Allen – mbijetoi në temperaturat e larta të shkretëtirës australiane për nëntë javë

Australiani Matthew Allen, i cili në dhjetor të vitit 2012 kishte 18 vjet, iku nga shtëpia pa marrë celularin dhe pa i treguar askujt se ku do të shkonte. Ai donte që të udhëtonte nëpër shkretëtirë, për ta testuar forcën e vet. Familjarët dhe miqtë e kërkuan pa sukses për nëntë javë, derisa u gjet nga disa kalimtarë të rastit në një gjendje të mjerë. Ajo që habit është si mundi ai të mbijetonte për nëntë javë, thuajse pa ushqim e pa ujë, pa strehim, në një kohë kur në Australi mbretëronin temperatura tepër të larta.

Image

6. Peter Skyllberg – mbijetoi në veturën e tij për dy muaj, pasi që u zu nga bora

Suedezi Peter Skyllberg u zu përfundi nga bora, derisa ishte në veturën e tij, ku arriti që të mbijetonte për dy muaj të tërë, derisa temperatura arrinte edhe deri në -30°C, pa ushqim, e pa ujë. Ai qëndroi i zënë ‘rob’ në veturën e tij nga19 dhjetori i vitit 2011 deri më 17 shkurt të vitit 2012. Gjatë kësaj kohe ai u “ushqye” vetëm me borë. Besohet se ai mbijetoi falë një gjendjeje të ngjashme me gjumin dimëror të ariut.

Image

7. Harrison Okene – mbijetoi në fund të detit për tri ditë, pa shishe të oksigjenit

Në maj të vitit 2013, një kuzhinier anijeje, Harrison Okene, shkoi në banjë, kur anija hasi në disa valë të mëdha afër brigjeve të Nigerisë, me ç’rast u fundos, duke humbur jetën të gjithë të tjerët, me përjashtim të Okenes. Okene përjetoi në një ambient të errët, të lagësht dhe të ftohtë për tri ditë, duke marrë frymë nga ajri që kishte mbetur i ngujuar në anijen e mbytur. Kur shpëtimtarët shkuan për t’i marrë kufomat, u befasuan pasi që gjetën Okenen gjallë.

Image

8. Aron Ralston – Amputoi vetë dorën e tij, pasi kishte mbetur i ngujuar

Në vitin 2003, Ralston kishte shkuar që të ngjitej në kanjonin “Blue John” në Juta, kur u shemb një gur dhe ia zuri dorën e djathtë. Ai mbeti aty i ngujuar për pesë ditë, duke tentuar gjithçka që mundi, për ta nxjerrë dorën, por pa sukses. Pasi që pa se rrezikonte të vdiste aty, ai mori thikën e tij profesionale dhe e preu dorën. Në atë gjendje të rëndë, atij iu desh që të zbriste me kujdes nga një lartësi e madhe. Ngjarja e tij e pabesueshme u bë frymëzim për filmin “127 Hours”.

Image

9. Roy Sullivan – u godit shtatë herë nga rrufeja, por mbijetoi

Roy Sullivan mbante rekordin në librin e Guinness-it, si njeriu i vetëm i cili iu mbijetoi shtatë goditjeve nga rrufeja. Roy Sullivan vdiq në vitin 1983 në moshën 71 vjeçar dhe vdekja e tij nuk kishte të bënte asgjë me rrufenë. Ai vdiq nga plagët me pushkë, të cilat ia shkaktoi vetes aksidentalisht. Ai u godit së pari nga rrufeja në vitin 1942, pastaj në vitin 1969; të tretën herë në vitin 1970, herën e katërt në vitin 1972, herën e pestë ai u godit nga rrufeja në vitin 1973, të gjashtën në vitin 1976 dhe herën e shtatë në vitin 1977/ Goditja e fundit ishte më seriozja.

Image

10. Robert Evans: mbijetoi goditjen nga një veturë dhe një aksident nga treni,  brenda shtatë orëve

Të mbijetosh një aksident është mrekulli të cilën e kanë përjetuar shumë njerëz, por t’iu mbijetosh dy aksidenteve brenda një periudhe të shkurtër prej shtatë orësh, me të vërtetë është e paimagjinueshme. Në një mbrëmje të shtatorit të vitit 2008, atëherë i pastrehi Robert Evans, ishte duke ngarë biçikletën e tij në rrugët e vendit Boulder, Kolorado, kur u godit nga një veturë. Robert ishte dërguar në spital për trajtim dhe ishte lëshuar në orën 3 të natës. Gjatë rrugës së tij për në kamp, ku flinte, Robert vendosi që t’i binte një rruge të shkurtër e cila kalonte mbi hekurudhë. Aty ai u godit përsëri, kësaj here nga një tren dhe u kthye sërish në spitalin Boulder. Që të dy aksidentet ai i mbijetoi pa lëndime serioze.

Image

(Kosova Sot)