KELMENDI: NË KOSOVË NUK MUND TË KETË DREJTËSI

  • 15 October 2018 - 15:46
KELMENDI: NË KOSOVË NUK MUND TË KETË DREJTËSI

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, rikthimi i shqetësimit të madh për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, sidomos në sistemin e drejtësisë, që është bërë përsëri temë në Parlamentin Evropian, ka rrezik serioz që ta ngadalësojë akoma më shumë procesin e përfarimit të Kosovës në rrugën e integrimit në BE, por gjithashtu mundë të ketë ndikim negativ edhe në pritjet për liberalizimin e vizave. "Me këtë gjendje katandisëse në sistemin e drejtësisë, me rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura, që është çereku i popullatës dhe të cilat po rriten në vazhdimësi dhe nuk po zvogëlohen, nuk mund të ketë drejtësi në Kosovë. Realisht në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi efikase derisa lëndët janë bërë objekt i shitblerjes e trafikimit dhe kur gjyqësori dhe prokuroria dirigjohen nga politika e inkriminuar. Prandaj, me plot të drejtë shqetësimi i eurodeputetëve është ritheksuar dhe është i argumentuar. BEja ka një monitorim të fuqishëm me mekanizmat dhe institucionet e veta në Kosovë, që raportojnë për të gjitha veprimet, madje në detaje, prandaj askush nuk mund të hartojë raporte të pavërteta për të mashtruar strukturat e BE-së. Gjendja në terren është ndryshe nga që raportohet në letra fiktive, sepse fatkeqësisht edhe më tutje Kosova nuk po i nënshtrohet një procesi të reformimit në sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë proces që i përfshin të gjitha nivelet e pushtetit", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". "Derisa tani jemi në një situatë të mosfunksionimit të asnjë institucioni të mirëfilltë në kapacitetet e duhura, derisa jemi në këtë situatë krize me institucionet pezull, sot për nesër, shpresa e vetme mbetet se mbase Parlamenti i ri i Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet në pritje. Si institucioni kryesor legjislativ në vend do të duhej të inkuadrohet në reformimin e sistemit të drejtësisë, e sidomos duke e përgatitur bazën ligjore për reforma, por edhe duke e kontrolluar qeverinë në atë mënyrë që t'ia pamundësojë ndërhyrjen apo ndikimin në zgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, t'ia pamundësojë ndikimin dhe ndërhyrjen në vendimmarrje, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me krim të organizuar, korrupsion, çështjen e bartjes së pronave dhe veprave të tjera, të cilat konsiderohen si të kualifikuara dhe që zakonisht kryhen nga politikanët, apo njerëz të veshur me petkun shtetëror", theksoi analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)