Diplomacia e skandaleve zvarrit liberalizimin e vizave deri në vitin 2020

  • 15 October 2018 - 08:25
Diplomacia e skandaleve zvarrit liberalizimin e vizave deri në vitin 2020
Guraziu: Ministri Pacolli e përdor diplomacinë për interesa të veta 

"Diplomacia kosovare nën drejtimin e ministrit të Jashtëm aktual, Behgjet Pacolli, po dështon tërësisht, sepse ai dhe stafi i tij vetëm po sorollaten nëpër korridore dhe takime kafesh, asgjë më shumë. Ai po shëtit nëpër botë pa ndonjë plan strategjik konkret dhe të artikuluar qartë. Mund të shprehemi me plot bindje që Kosova as nuk ka diplomaci dhe as nuk di të zbatojë diplomacinë që e bëjnë vendet mike për Kosovën. Kjo nuk d.m.th. që Kosova nuk ka njerëz që dinë ta bëjnë këtë, por ata njerëz nuk i lënë oligarkët, të cilët kërkojnë vetëm njerëz servilë, pa identitet personal, të padijshëm, njerëz me varësi e parazitë", thotë analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot"

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistë politikë bashkë me qytetarët vlerësojnë se shtetin e Kosovës po e mban peng dhe në izolim neglizhenca dhe papërgjegjësia e pushtetarëve kosovarë. Sipas tyre, për shkak të mossundimit të ligjit në Kosovë po dështon liberalizimi i vizave deri në vitin 2020. Së këndejmi, sipas tyre, në këtë drejtim veçanërisht ka dështuar Ministria e Punëve të Jashtme me z. Behgjet Pacolli në krye, edhe në lobim për liberalizim të vizave, pasi që vendimi final për liberalizim, që e merr secili shtet, është mbi të gjitha politikë dhe këtë gjë e potencoi edhe komisionarja evropiane, e cila u bëri thirrje përfaqësuesve të Kosovës që të vazhdojnë me dialog me të gjitha shtetet anëtare për t'i bindur ato që të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. 

Hertica: Kemi Qeveri, në të cilën asnjë vartës institucional nuk është në vendin e duhur Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot" thotë se kemi një qeveri në të cilën asnjë vartës institucional nuk është në vendin e duhur, e më së keqi është e katandisur MPJ-ja, e cila në vend se të ishte ministri e fortë dhe e dinjitetshme, është bërë punësuesi më i madh në Kosovë dhe një hotel i mirë për ministrat, e sidomos Behgjet Pacollin. "Diplomacia kosovare nën drejtimin e ministrit të Jashtëm aktual, Behgjet Pacolli, po dështon tërësisht, sepse ai dhe stafi i tij vetëm sa po sorollaten nëpër korridore dhe takime kafesh asgjë më shumë. Ai po shëtit nëpër botë pa ndonjë plan strategjik konkret dhe të artikuluar qartë. Mund të shprehemi me plot bindje që Kosova as nuk ka diplomaci dhe as nuk di të zbatojë diplomacinë që e bëjnë vendet mike për Kosovën. Kjo nuk d.m.th. që Kosova nuk ka njerëz që dinë ta bëjnë këtë, por ata njerëz nuk i lënë oligarkët, të cilët kërkojnë vetëm njerëz servilë, pa identitet personal, të padijshëm, njerëz me varësi e parazitë. E njëjta gjë, apo edhe më keq, po ndodh edhe tani me MPJ-në, se sot kemi një qeveri", theksoi analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot". Ai tutje ka shtuar: "Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në stagnimin e procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të mëdha ndërkombëtare. Një ndër faktorët kyçë, që i ka ndihmuar procesit të stagnimit të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës si shtet nuk ka vepruar e punuar brenda kornizave institucionale e politikave të caktuara të organizatave ndërkombëtare, por brenda politikave ditore, të cilat nuk na dërgojnë në adresën e caktuar". Hertica thotë se Kosovës në mekanizmat e fuqishëm ndërkombëtarë, lidhet me instalimin e politikave të dëmshme publike, të cilat kanë pasur si qëllim interesat personale e klienteliste. "Në vitin 2011 kur Behgjet Pacolli ishte zëvendëskryeministër po bënte biznes me Nigerinë, ani pse kishte dështuar që të siguronte në atë kohë njohje nga ky shtet për Kosovën. Pacolli megjithatë nënshkroi një memorandum që i garanton atij një investim prej 1.4 miliard eurosh në Nigeri, që do të thotë se Pacollit fare nuk i intereson çështja e Kosovës, por vetëm përfitimi i tij personal dhe familjar e lëre më qytetarin", është shprehur ai.

Guraziu: Kosova në izolim të plotë për shkak të mosfunksionimit të plotë të ligjeve Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova është në një në izolim të plotë për shkak të mosfunksionimit të ligjeve."Këta oligarkë mafiozë janë më shumë të interesuar dhe po punojnë për veten e tyre sesa për qytetarët, andaj ata edhe e kanë lënë Kosovën edhe më tutje në izolim të plotë. Sepse për këta pushtetarët e Kosovës më me rëndësi është që mëditjet të jenë të bollshme, hotelet dhe restorantet luksoze, se sa i përket lobimit për liberalizim vizash as që lodhen fare për tjerat gjëra që Kosovën po e fusin në një humnerë. Dhe, thënë ndryshe, shtetin e Kosovës po e mbajnë peng dhe në izolim neglizhenca dhe papërgjegjësia e pushtetarëve kosovarë. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se në këtë mënyrë edhe po dështon liberalizimi i vizave deri në vitin 2020 dhe arsyeja është pikërisht për shkak të mossundimit të ligjit në Kosovë", është shprehur analisti Ragip Guraziu për gazetën "Kosova Sot". 

GURAZIU: PUSHTETARËT VRAPOJNË PAS MËDITJEVE, NUK E KANË HALLIN E SHTETIT "Në këtë drejtim ka dështuar veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme me Behgjet Pacollin në krye, veçanërisht në lobimin për liberalizim të vizave, pasi që vendimi final për liberalizim, që e merr secili shtet, është mbi të gjitha politikë dhe këtë gjë e potencoi edhe komisionerja evropiane, e cila u bëri thirrje përfaqësuesve të Kosovës që të vazhdojnë me dialog me të gjitha shtetet anëtare për t'i bindur ato që të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Kjo papërgjegjësi e krerëve tanë të shtetit popullit tonë do t'i kushtojë me mosliberalizim të vizave pikërisht për shkak të mossundimit të ligjit si dhe për shkak se janë qeveritarët tanë ata që po bashkëpunojnë vetë me krimin e organizuar dhe të cilët po zhvillojnë vizita të shumta jashtë vendit, duke shpenzuar paratë e popullit, por e keqja është se këto vizita janë të tipit të ekskursioneve dhe për qëllime të tyre private. Ngase për pushtetarët e Kosovës më me rëndësi është që mëditjet të jenë të bollshme, hotelet dhe restorantet luksoze, sesa lobimi për liberalizim vizash, as që lodhen fare për punët e shtetit. Kjo po ndodh ngase ministri i punëve të jashtme, Pacolli, ka pasaportë zvicerane, qeveritarët e tjerë për vete e për familjarët e tyre kanë pasaporta diplomatike, por edhe pasaporta të Shqipërisë, andaj ata nuk kanë nevojë të presin në radhë të gjata e sa për popullin ata nuk e çajnë fare kokën se do të mbesin edhe më tej të izoluar si qytetarë të rëndomtë", thotë analisti Ragip Guraziu për gazetën "Kosova Sot".

HAZIRI: MJERIMIN ME VIZA PO E VUAJNË QYTETARËT Analisti Arsim Haziri për gazetën "Kosova Sot" thotë se Kosova aktualisht është në mungesë të funksionimit ligjor dhe këtë gjendje e kanë krijuar të gjitha qeverisjet e pasluftës. "E arsyeja pse qytetarët e saj nuk mund t'i gëzojnë disa procese evropiane është kryekëput niveli i dëmshëm qeverisës, zhvillimi i pareshtur i dukurive negative. Liberalizmi i vizave prej asnjërës qeverisje s'ka qenë si prioritet, prandaj edhe nuk është bërë", ka theksuar Haziri. Ai shton se këtë mjerim nuk po e vuajnë zyrtarë të lartë qeveritarë, sepse ata gëzojnë disa privilegje shtetërore, por qytetarët po maltretohen para ambasadave të huaja.

Qytetarët akuzojnë pushtetarët tanë për mosliberalizim të vizave Qytetarët e anketuar i akuzojnë pushtetarët tanë për mosliberalizim të vizave deri më tash. Ata madje thonë se shtetin e Kosovës po e mbajnë peng dhe në izolim neglizhenca dhe papërgjegjësia e pushtetarëve kosovarë. Qytetari Fetah Dragusha për gazetën "Kosova Sot" thotë se te liberalizimi i vizave do të zvarritemi deri në fund të vitit 2019."Ndërsa fajtorë për këtë izolim të qytetarëve tanë janë politikanët tanë të korruptuar që po e mbajnë peng qytetarët tanë me mospunën dhe neglizhencën e tyre dhe në radhë të papërgjegjësisë së tyre ndaj detyrave të caktuara nga ana e BE-së". Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Sabri Tahiri, për gazetën "Kosova Sot" është i bindur se liberalizmi i vizave do të shtyhet të paktën deri në fund të vitit 2019 dhe fajtorë janë politikanët tanë që nuk i kanë kryer detyrat e tyre."Bota perëndimore nuk ka se si të na ndihmojë, ngase të zotët e shtëpisë sonë, pushtetarët tanë, nuk po e luftojnë sa duhet krimin e organizuar", është shprehur ai.

(Kosova Sot)