PRETENI:NË KOSOVË ËSHTË NJË SITUATË E PASHPRESË!

  • 17 October 2018 - 12:18
PRETENI:NË KOSOVË ËSHTË NJË SITUATË E PASHPRESË!
Sipas Hasan Pretenit, ish-kryesues i AKK-së në dy mandate, mungesa e drejtësisë në shtetin e Kosovës po e zbeh edhe shpresën e qytetarëve për të jetuar në këtë shtet, andaj rinia e pashpresë po mësyn rrugët e botës."Në një anketë në Kroaci, në pyetjen pse po largohen të rinjtë kroatë nga vendi, në shumicën e rasteve përgjigjja ka qenë: 'Po ikim prej korrupsionit dhe prej veteranëve të luftës'… Kjo disi po më asocion edhe në situatën në Kosovë. Nga Kosova nuk do të largohen vetëm ata që nuk do të kenë mundësi për të blerë biletën edhe atë në fazën e parë, por pastaj edhe ata do të gjinden disi. Është një situatë e pashpresë. Nuk është problem legjislacioni, edhe ligji në fjalë nuk do të bëjë çudira, nuk kemi probleme me strategji dhe me legjislacion, problemi është te zbatueshmëria", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Preteni thotë se ligjet nuk zbatohen jo pse janë të pazbatueshme, por se nuk kujdeset askush që ato të zbatohen. Sipas tij, edhe Ligji për Konfliktin e Interesit është njëri nga të dështuarit, sepse nga përvoja e tij në AKK ka parë se shumë më i mirë dhe më efikas ka qenë ligji i vjetër."Hipokrizia më e madhe është se për të treguar se diçka po punohet, ata shkojnë dhe i ndërrojnë ligjet, me ndërrimet e shpeshta ata po krijojnë huti. Ligjet e reja, pastaj rregulloret, pastaj trajnimet për stafin, dhe në fund kur plotësohet ky rreth vicioz, atëherë prapë nga fillimi. Ligjet po shënojnë regres. Edhe ligjet që janë aprovuar së fundi gjatë këtij viti janë shumë më të dobët se ata që ishim më parë. Sa paraja enorme shpenzohet për ekspertë, sa koha harxhohet në punën nëpër komisione, sa shpenzimet për punëtori jashtë Kosovës, dhe në fund implementimi i atyre ligjeve mbetet në pikën zero", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".