Dështon gjykimi për rrahjen e kamarierit shkaku i pagesës

  • 17 October 2018 - 13:17
Dështon gjykimi për rrahjen e kamarierit shkaku i pagesës

Ka dështuar të mbahet gjykimi për rrahjen e kamerierit shkaku i pagesës në kafeterinë “Te Sela”, në Bardhosh te Prishtinës.

Arsyeja e dështimit ishte se i akuzuari Baki Tashevci nuk kishte angazhuar mbrojtës edhe pse mbrojtja për të është e detyrueshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Avni Tashevci së bashku me Ramadan, Blerim dhe Besim Bajqinovcin, në kafeterinë “Te Sela”, e kanë sulmuar fizikisht kamerierin pasi që ai kishte shkuar t`ua kërkonte pagesën, shkruan Kallxo.com

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit i ishin drejtuar me fjalët “Merre atë faturë e qoja shefit”, ndërsa i dëmtuari ishte përgjigjur “Shefit faturën ja qoni ju”, çka kishte rezultuar edhe me rrahjen e tij nga të pandehurit.

Ndërsa Baki Tashevci akuzohet se me qëllim të frikësimit pas mosmarrëveshjes e kishte nxjerrë armën dhe ishte drejtuar me fjalët “Uluni se qata që e shohë në këmbë kam me vra, e pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes”.



(Kosova Sot)