Super-ushtarët, efektivë deri në vitin 2048

  • 17 October 2018 - 16:34
Super-ushtarët, efektivë deri në vitin 2048

Nëse mendoni se ushtarët mutantë me fuqi të papara fizike dhe mendore janë diçka që iu takojnë vetëm filmave të fantazisë shkencore, atëherë dijeni se mund ta keni gabim. Një raport i frikshëm qeveritar britanik tërheq vërejtjen se krijimi i ushtarëve gjenetikisht të modifikuar mund të bëhet realitet brenda një gjenerate. Krijimi i ushtarëve bionikë do t'ua mundësojë vendeve rritjen e aftësive të tyre ushtarake dhe përmirësimin e performancës së forcave luftarake. Brenda periudhës prej 30 vjetësh, ushtarët mutantë mund të jenë në gjendje që të ngrehin pesha të mëdha dhe të vrapojnë me shpejtësi të madhe në distanca ekstreme, thuhet në raportin e grupit të ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përshtatjet për stimulimin e trurit

Ata ushtarë mund ta kenë edhe një shikim infra të kuq gjatë natës dhe të jenë në gjendje të transmetojnë mendimet e tyre me anë të telepatisë së ndihmuar elektronikisht. Ekziston shqetësimi se shtetet që janë të gatshme të shfrytëzojnë teknologjitë e tilla, në kundërshtim me ligjet e bashkësisë ndërkombëtare, do të kenë përparësi në fushëbetejë. Raporti thotë se editimi i gjeneve, gjymtyrët bionike, përshtatjet për stimulimin e trurit, si dhe ilaçet për rritjen e performancës, do të ofrojnë një zgjerim të thellë të kufijve të performancës njerëzore. 

Agresorët shtetërorë

Raporti tërheq vërejtjen se duhet të miratohen ligje adekuate dhe të ketë konsiderata morale dhe etike, para se të formohen ushtarët mutantë. Raporti me titull: "Trendët strategjikë globalë: E ardhmja fillon sot" është botuar nga grupi i ekspertëve të quajtur "Qendra e zhvillimit, koncepteve dhe doktrinës". Ky raport po ashtu përmend edhe mundësinë e protestave të atyre që do të ngelin pa punë, meqë punët e tyre do t'i marrin robotët. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, deklaroi se jemi duke jetuar në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, me sfida më intensive nga agresorët shtetërorë të cilët nuk respektojnë rregullat; nga terroristët të cilët duan ta dëmtojnë mënyrën tonë të jetesës dhe nga gara teknologjike me kundërshtarët tanë. Profesori i ndjerë, Stephen Hawking, thoshte se inxhinieringu gjenetik mund ta shfarosë racën njerëzore.  

 

(Kosova Sot)