Si u bë që Paul ta bindte Gatesin të braktiste studimet në Harvard dhe ta formonte "Microsoft-in"?

  • 17 October 2018 - 16:43
Si u bë që Paul ta bindte Gatesin të braktiste studimet në Harvard dhe ta formonte

Bashkëthemeluesi i kompanisë "Microsoft Corp", Paul Allen, njeriu i cili e bindi mikun e shkollës, Bill Gates, që të braktiste studimet në Harvard dhe ta themelonin atë që do të bëhej kompania më e madhe e softuerit në botë, vdiq të hënën në moshën 65-vjeçare. Allen u largua nga "Microsoft" në vitin 1983, para se kompania të bëhej një korporatë e madhe, për shkak të një mosmarrëveshjeje me Gates, por hisja e tij në partneritetin fillestar të tyre, ia mundësoi atij që ta kalonte jetën si miliarder, në jahte, duke u marrë me art, rok, ekipe sportive, kërkime shkencore të trurit dhe patundshmëri. Allen vdiq nga komplikimet e limfomës të tipit non-Hodgkin, një lloj i kancerit. Në fillim të tetorit, Allen bëri me dije se ishte duke u trajtuar për sëmundjen limfoma non-Hodgkin, nga e cila ishte trajtuar edhe në vitin 2009. Ai pati edhe një betejë kundër limfomës Hodgkin, që është një formë tjetër e kancerit, në fillim të viteve 1980, para se të largohej nga kompania "Microsoft".

 

Ka dhuruar më shumë se 1 miliard dollarë për projektet e bamirësisë

Adhuruesi i muzikës, Allen, kishte një listë të miqve të profilit të lartë në industrinë e argëtimit, duke përfshirë edhe këngëtarin e bendit U2, Bono, por preferonte më shumë ta bënte një jetë të tërhequr, në ishullin Mercer. Allen i mbeti besnik regjionit të pacifikut veriperëndimor, duke dhuruar më shumë se 1 miliard dollarë për projektet e bamirësisë. Paul Gardner Allen lindi në Sietëll më 21 janar të vitit 1953, si i biri i një bibliotekari dhe një mësueseje. Ai ishte dy vjet më i madh se Gates, por kur ata u takuan në dhomën e kompjuterëve në shkollën "Lakeside", në Sietëll, në vitin 1968, ata zbuluan një pasion të përbashkët. "Asokohe vetëm sorollateshim, apo ashtu na merrte mendja', do të thoshte më pas Gates në librin e tij, të vitit 1985, "The Road Ahead". Allen filloi studimet në Universitetin shtetëror të Uashingtonit, por më pas i la ato, në vitin 1974, për të filluar punën me Honeywell në Boston. Derisa ishte atje, ai i ishte qepur Gatesit, i cili ishte duke studiuar në Harvardin e afërt, duke i thënë që të linte studimet dhe t'i bashkohej revolucionit të ri, të kompjuterëve personalë. Gates përfundimisht u dorëzua dhe, në vitin 1975, të dy ata zhvilluan softuerin BASIC për 'Altair 8800', një kompjuteri desktop që kushtonte 400 dollarë. Më pas, dy të rinjtë shkuan për të punuar në Albukerk, Nju Meksiko, dhe themeluan një kompani, transmeton "Kosova Sot Omline".

Kishte dëgjuar Gatesin dhe Ballmerin duke biseduar fshehurazi rreth zvogëlimit të hises së tij në kompani

Ishte ideja e Allenit që kompaninë ta quanin "Micro-Soft", një amalgamë të mikrokompjuterizmit dhe softuerit. Allen ishte në ngarkesë të operacioneve teknike të "Microsoft"-it gjatë tetë viteve të para të kësaj kompanie, duke u bërë kështu njëri ndër njerëzit e paktë që krijuan softuerin e parë, sikur MS-DOS dhe Word, me çka u mundësua revolucioni dhe suksesi i kompanisë "Microsoft". Por, ai kurrë nuk kishte manifestuar instinktin komercial të Gatesit, ku ky i fundit është përgjegjës për fuqizimin e ngritjes së "Microsoft"-it në piedestal gjatë viteve 1990. Allen u largua nga "Microsoft" në vitin 1983 pasi që u grind me Gatesin dhe zëvendësin e tij të ri, Steve Ballmer. Ai tregoi më pas se kishte dëgjuar Gatesin dhe Ballmerin duke biseduar fshehurazi rreth zvogëlimit të hises së tij në kompani. 'Unë isha sëmurë nga limfoma dhe ata ankoheshin rreth mungesës së angazhimit tim në kompani dhe rreth mundësive si të zvogëlohej hisja ime aty". Gates dhe Ballmer më pas i kishin kërkuar falje, por tanimë dëmi ishte bërë dhe Allen u largua nga "Microsoft", edhe pse mbeti në bord deri në vitin 2000. Hisja e tij prej 28% në kapitalin fillestar të kompanisë "Microsoft" e kishte bërë atë multimilioner. Pasuria e tij arriti kulmin në vitin 1999, në rreth 30 miliardë dollarë. Në tetor të vitit 2018, revista "Forbes" vlerësoi pasurinë e tij në 21.7 miliardë dollarë, duke u bërë kështu njeriu i 44-të në botë për nga pasuria. Allen, pronar i 42 patentave të SHBA-së, donte ta quante veten 'vizionar teknologjik' që e kishte paraparë të ardhmen.

 

(Kosova Sot)