Skemat sociale mund ta çojnë Kosovën në kolaps financiar

  • 19 October 2018 - 08:51
Skemat sociale mund ta çojnë  Kosovën në kolaps financiar
400 milionë euro, prej buxhetit 2 miliardësh, shkojnë për rastet sociale

Vitin e kaluar, Kosova shpenzoi diku 383 milionë euro për skemat sociale, 30 për qind më shumë se në vitin 2015. Dy të tretat e kësaj rritje kanë ardhur vetëm për shkak të skemës për pensionet e veteranëve të luftës, derisa 13.300 veteranë të luftës kanë nisur të marrin pensione në pjesën e fundit të 2015-ës (më shumë se sa 12.000 që parashiheshin në fillim) dhe ky numër shkoi pastaj në 36.000 në fund të vitit të kaluar. Këtë vit, parashihet që shpenzimet për skema sociale të shkojnë deri në mbi 400 milionë euro, një rritje prej më shumë se 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rreth një e treta e kësaj rritje vjen sërish për shkak të skemës për veteranët e luftës, meqë mbi 2000 përfitues të rinj janë shtuar këtë vit. Analistët dhe deputetët kanë frikën se buxheti nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale dhe Kosova mund të shkojë drejt krizës fiskale. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar më herët edhe FMN-ja, por me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të zyrtarëve të Zyrës për informim të FMN-së në Zyrën e Prishtinës, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme.

Përkrahja sociale në rritje
Bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ndarja e 400 milionë eurove për skema sociale sigurisht se do të jetë një ngarkesë goxha serioze për buxhetin e konsoliduar të Kosovës. "Por unë besoj se tash gjykata do ta reduktojë numrin e veteraneve duke sjellë në suaza reale dhe në lista do të mbeten vetëm veteranët e vërtetë të UÇK-së", vlerësoi ai."Skemat sociale vazhdimisht do të shënojnë rritje, sepse edhe pensionet, por edhe përkrahjet e tjera sociale në Kosovë ende janë të vogla. Për t'i përballuar të gjitha nevojat sociale Qeveria 'Haradinaj' përveç rritjes ekonomike duhet të jetë edhe më e vendosur ndaj luftës kundër korrupsionit dhe ekonomisë informale, si dhe të angazhohet me vendosmëri për kthimin e Fondit Pensional të plaçkitur nga Serbia", shtoi më tej Abazi. Ai vlerëson se Kosova si një vend normal, duhet sa më shpejt ta fusë në sistem edhe sigurimin shëndetësor për të gjithë qytetarët e Kosovës."Ngase pa sigurime shëndetësore kurrë nuk do të kemi një shëndetësi të zhvilluar", ka thënë Abazi.

ARKA E ZBRAZUR
"Kosovës i duhet zhvillim ekonomik, jo rëndim i buxhetit nga skemat sociale. Mendoj se pothuajse Kosova e ka arritur krizën fiskale, janë në eurot e fundit edhe të Fondi i Kursimeve shtetërore, pra Kosova po ballafaqohet me një ekonomi, e cila prioritet e ka vetëm akomodimin e politikanëve dhe grupeve të interesit", potencoi Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

E PËSOJNË QYTETARËT
"Sot kemi shumë biznese që po na ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë dhe nëse na dështojnë bizneset, atëherë si shoqëri do të vijmë në një situatë kur do të detyrohemi që edhe me ligj t'i ulim pagat. Prandaj, e tërë barra e këtyre skemave pensionale do të bjerë mbi qytetarët që do të jenë viktima", tha Imet Rrahmani për "Kosova Sot" 

NDIHMË APO LËMOSHË "
Pensionisti me vetëm 75 euro nuk e përballon këtë gjendje, por as edhe qytetari me nevoja të veçanta me vetëm 150 euro nuk e përballon dot këtë situatë. Ne si shtet e shoqëri kemi nevojë për ndryshime përmbajtjesore dhe për zhvillim ekonomik dhe deri më tash në këtë drejtim të gjitha qeveritë e pasluftës kanë dështuar, sepse e tërë barra e këtyre skemave po bie mbi qytetarët që po ngarkohen me taksa të shumta, ngase Qeveria është bërë punëdhënësi më i madh në vend, edhe pse do të duhej që sektori privat të ishte punëdhënësi më i madh", theksoi Faton Topalli për "Kosova Sot"

Të aftit të punojnë, invalidët të marrin pension
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se shteti i Kosovës po shkon drejt një shteti social, i cili buxhetin kryesor e harxhon ne skemat sociale, mirëpo Kosova nuk e ka luksin për një ndarje rreth 400 milionë euro skema sociale."Dy të tretat e kësaj rritje kanë ardhur vetëm për shkak të skemës për pensionet e veteranëve të luftës, derisa 13.300 veteranë të luftës kanë nisur të marrin pensione në pjesën e fundit të 2015-s (më shumë se sa 12.000 që parashiheshin në fillim) dhe ky numër shkoi pastaj në 36.000 në fund të vitit të kaluar",theksoi ai. Analisti Beqiri mendon se Kosova është në prag të një krize fiskale, sepse skemat sociale kanë arritur që buxhetit të shtetit t'i kushtojnë rreth 17 për qind të buxhetit total të vendit diçka e paimagjinueshme. Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova duhet të fillojë t'i ndjekë politikat amerikane sa u përket skemave sociale, sepse në SHBA skema sociale nuk ekziston, por vetëm nëse je i paaftë për punë apo pensionist atëherë shteti e ka një fond që të ndihmon."Nuk jam kundër veteranëve të luftës, por mendoj që sa ua japin paratë e pensionit, do të ishte shumë më mirë që t'i fusin në punë dhe të punojnë, sepse nëse mendojnë që përmes pensionit të jetojnë, e ardhmja e tyre do jetë edhe më vështirë në aspektin financiar dhe shëndetësor. Kjo ngase veteranët e UÇK-së, të cilët i kanë këmbët, duart, sytë, veshët dhe çdo organ dhe çdo pjesë të trupit duhet që të kërkojnë punë dhe le të punojnë, kurse ata që me të vërtetë janë invalidë duhet t'u rriten pensionet", ka theksuar ai.

Buxheti nuk e përballon presionin social
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga tabori i pozitës dhe opozitës të anketuar nga ana e gazetës janë treguar të ndarë në vlerësimet e tyre rreth mënyrës së shpërndarjes së skemave të ndihmave sociale. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani (LDK), për gazetën "Kosova Sot", thotë se po qe se Qeveria vazhdon sërish me këto skema të ndihmave, atëherë barra kryesore do të bjerë mbi qytetarët dhe bizneset e Kosovës."Unë mendoj se këto skema sociale janë të fryra dhe si të tilla Qeveria më shumë duhet që ta stimulojë punësimin e tyre, kurse krijimi i skemave të tilla sociale do ta stimulojë demotivimin e njerëzve që mos të punojnë", vlerëson ai. Ndërsa deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës ,po ashtu nga opozita, Faton Topalli (PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se qytetarët tanë kanë nevojë për skema sociale, por kjo situatë duhet të shkojë në raport me zhvillimin ekonomik të vendit, sepse pa një zhvillim ekonomik nuk ka as skema sociale të mirëfillta dhe as pensione të nevojshme e të dinjitetshme, sepse ne nuk kemi zhvillim ekonomik."Mjerisht se të gjitha qeveritë e deritashme u përkujdesën që të rehatojnë militantët partiakë dhe të rehatojnë familjarët e tyre. Prandaj hartimi i këtyre skemave sociale është i pamundur pa e pasur një zhvillim ekonomik, sepse duhet me qenë real se buxheti i tashëm që e kemi nuk i përballon dot tërë këto skema sociale dhe këto skema janë vetëm skema formale, sepse edhe ata që i shfrytëzojnë këto skema nuk po e marrin shumën e duhur që nevojitet për mbijetesë", ka thënë më tej ai."Mjerisht 50 mijë veta që kanë aplikuar në lista të veteranëve të luftës së UÇK-së, në fakt ata janë veteranë të pasluftës dhe këto lista të tyre janë një barrë e madhe dhe ua pamundësojnë veteranëve të vërtetë të UÇKsë që të marrin pensione të dinjitetshme. Andaj, kjo gjendje e imponon pastrimin urgjent të listave të veteranëve të UÇK-së, ngase Kosova nuk pati aq shumë luftëtarë", vlerësoi Topalli. Kurse deputeti i koalicionit qeverisës, Zafir Berisha (Nisma), për gazetën "Kosova Sot", tha se me këto skema po rëndohen qytetarët dhe bizneset."Por disa kategori duhet të korrigjohen, më konkretisht skemat e listave të veteranëve të luftës, sepse ata ish-luftëtarë të vërtetë duhet që të marrin pensione të dinjitetshmë, kurse veteranët e rrejshëm të UÇK-së atyre duhet t'u ndalen menjëherë ato para", potencoi ai. Sipas tij, shembull duhet marrë nga Kroacia ku Qeveria e atjeshme e bëri rishikimin e listave të ish-luftëtarëve kroatë dhe pasi i verifikuan ato lista, Qeveria kroate i ka detyruar shfrytëzuesit e këtyre ndihmave që t'i kthejnë paratë e vjedhura në buxhetin e shtetit.  

(Kosova Sot)