Në Zvicër jetojnë 99.799 kosovarë

  • 04 September 2015 - 09:33
Në Zvicër jetojnë 99.799 kosovarë

Raporti i fundit statistikor tregon se në Zvicër jetojnë 99.799 shqiptarë, që cilësohen me prejardhje nga Kosova.

Por në fakt numri i shqiptarëve në këtë vend është shumë më i madh, meqë në këtë tregues nuk është specifikuar përkatësia kombëtare e atyre të ardhurve në Zvicër nga Serbia e Maqedonia. Marrë së bashku, numri i shqiptarëve në Zvicër është dukshëm më i madh se sa tregojnë statistikat për numrin e shtetasve me origjinë nga Kosova.

Në raportin e publikuar ditë më parë nga Zyra Federale për Statistikë janë dhënë shifrat përfundimtare dhe të plota të të huajve që jetojnë në Zvicër. Në të vërtetë shifrat i referohen fundit të vitit 2014, por si e tillë, kjo statistikë është më e reja dhe më kompletja.

Sipas saj, në Zvicër jetojnë afër 2 milionë njerëz me pasaporta të huaja, ose 24.3% e popullatës së gjithëmbarshme. Të dhënat në këtë raport theksojnë se rreth dy të tretat e të gjithë të huajve janë nga shtetet e BE-së dhe Evropa Perëndimore. Numri më i madh i tyre vijnë nga Italia, e në radhë pas italianëve janë gjermanët, portugezët dhe francezët.

Ndërkaq ne mesin e të huajve nga “vendet e treta”, vendin e parë e zënë shtetasit e Kosovës, të cilët kanë arritur shumë afër shifrës së 100 mijë, gjegjësisht në fund të vitit 2014 ata ishin saktësisht 99799, shkruan Albinfo. Pas tyre vijnë shtetasit e Serbisë (78092) dhe ata të Maqedonisë (63516). Sigurisht, në shifrat e shtetasve të Serbisë “fshihet” një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Kosova dhe nga Lugina e Preshevës. Ndërsa në numrin e shtetasve të Maqedonisë pjesa dërmuese janë shqiptarë etnikë. Kështu, marrë së bashku, numri i shqiptarëve në Zvicër është dukshëm më i madh se sa tregojnë statistikat. Kur kësaj i shtohet edhe numri i madh i shqiptarëve që kanë marrë pasaportat zvicerane, vetëm mund të supozohet se sa shqiptarë etnikë jetojnë në gjithë Zvicrën, transmeton albinfo.ch.

Sipas një statistike tjetër, asaj të azilit, në fund të qershorit ë këtij viti në Zvicër prinin azilkërkuesit nga Eritrea. Pas tyre vijnë ata nga Somalia, Sri Lanka, Siria Afganistani, Nigeria, Gambia, Etiopia, Kina dhe, në vendin e dhjetë, azilkërkuesit nga Kosova.