Papërgjegjësia e Komunës së Prishtinës, shkaktoi vdekjen e qytetarit në Gërmi (Foto)

  • 04 September 2015 - 16:08
Papërgjegjësia e Komunës së Prishtinës, shkaktoi vdekjen e qytetarit në Gërmi (Foto)

Komuna e Prishtinës, kur ka lëshuar Pishinën e Gërmisë, duket se nuk e ka parashikuar problemin e derdhjes së ujit. Zbrazja kaotike e kësaj pishine, është treguar fatale për një çiklist në natën e 2 shtatorit. Dëshmitarët kanë treguar se aksidenti i veturave dhe çiklistit është shkaktuar pikërisht nga uji i pishinës së Gërmisë, që po rrjedh ende në rrugën “Shpëtim Robaj”, e jo në kanal. Dikush duhet të japë përgjegjësi për vdekjen e qytetarit

Në mbrëmjen e 2 shtatorit, rreth orës 21:30, një çiklist i moshës 30 vjeçare, ka ndërruar jetë nga plagët e marra, pas aksidentit me dy vetura. Një dëshmitar ka rrëfyer se rrëshqitja e veturave për shkak ujit që ka vërshuar rrugën që çon drejt Parkut të Gërmisë ka qenë shkaktari i aksidentit.

Në anën tjetër,Agron Borovci zëdhënësi i Policisë për Prishtinën ka thënë se janë duke e pritur raportin final nga ekzaminerët dhe hetuesit e trafikut për të hetuar rastin dhe rrethanat e vdekjes

"Jemi duke e pritur raportin e konfirmuar nga hetuesit e trafikut, obduksioni dhe ekzaminerët për të vërtetuar nëse çiklisti ka vdekur nga lëndimet kur është goditur nga vetura, nga lëndimet kur është rrëzuar, rrethanat e aksidentit e shumë faktorë të tjerë", ka shtuar ai.

Që nga 1 shtatori, pishina e Gërmisë ka përfunduar sezonin veror dhe uji është larguar nga pishina. Por, në zonat e parkut nacional të kryeqytetit, ku është derdhur uji i pishinës janë formuar puseta me ujë të ndotur e po ashtu erëra kundërmuese. Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë me kompaninë publike "SportMarketing" që e ka menaxhuar Pishinën e Gërmisë për këtë sezonë, por nuk janë përgjigjur. E, po ashtu, edhe kësaj here Komuna e Prishtinës ka refuzuar të flasë për këtë problematikë.

Nga ana tjetër, në fotografitë shihet se si uji kalon nëpër urën e pishinës, vazhdon si një proçkë e vogël deri tek fusha e tenisit. Gjatë mbrëmjeve uji shpesh herë ka dalur në rrugë duke e bërë atë të rrëshqitshme. Edhe fotot e fundit të aksidentit të mbrëmshëm, ku mbeti i vdekur një çiklist dhe dy të lënduar tjerë, shihet se si kalon uji në rrugën e parkut Germia. Ndryshe, Pishina e Gërmisë u hap me 11 Korrik të këtij viti dhe ka funksionuar për një muaj e gjysmën për qytetarët.