Furtunë në PDK, partisë së Veselit E THAÇIT I VJEN ERA NDARJE

  • 12 November 2018 - 07:54
Furtunë në PDK, partisë së Veselit E THAÇIT I VJEN ERA NDARJE

Guraziu: Ministrat që zgjidhen nga PDK-ja janë asistentë të shefave të partisë

"Jam në pritje të reflektimeve nga qendra lidhur me temat që kemi hapur dhe varësisht nga ky reflektim do të varet e ardhmja ime politike. Janë me mijëra e mijëra aktivistë të vërtetë të PDKsë, të cilët mendojnë si unë, por të cilët ende nuk e thonë këtë publikisht. Pra, po flas për aktivistë, të cilët kanë investuar mund e kohë për afër 20 vjet për PDK-në, e jo aktivistë profiterë, që janë bërë pjesë e PDK-së vetëm pasi jemi bërë pjesë e pushtetit. Sa kam qenë zëvendësministër pothuajse asnjë ditë pune nuk kam munguar në vendin e punës, kurse zëvendësministrat e sotëm nuk shkojnë në punë mbase me muaj të tërë dhe orarin e punës në ministri e zëvendësojnë me punët në bizneset e tyre", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" zyrtari i "rebeluar" i PDKsë, Nehat Mustafa

Një nga zyrtarët e PDK-së, Nehat Mustafa, e ka kritikuar lidershipin partiak për mënyrën se si po emërohen individë nga kjo parti në poste ministrore, siç ka thënë pa i merituar këto pozita. Mustafa haptazi ka thënë se ministri i tashëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që ndryshe konsiderohet edhe si krahu i djathtë i presidentit Hashim Thaçi, si dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, që është krahu i djathtë i kryeparlamentarit Kadri Veseli, nuk e meritojnë të jenë ministra të kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe 6 ministra të tjerë të PDK-së, të cilët, sipas Mustafës, janë zgjedhur nga degë të dështuara. I revoltuari i kësaj partie, Nehat Mustafa, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk ka folur për ndarje të PDK-së, por ka theksuar një fakt real, se ministritë e PDK-së udhëhiqen nga ministra që vijnë nga degët të cilat karakterizohen me humbje të vazhdueshme. "Prishtina e Peja janë dy degët më të privilegjuara në të gjitha qeveritë që PDK-ja ka qenë pjesë e qeverisë, edhe pse rezultatet e tyre zgjedhore gjithmonë kanë qenë katastrofale. Ndërsa, e kundërta e saj kanë qenë disa degë shumë të suksesshme, siç është Ferizaj, ku pavarësisht prej fitoreve të vazhdueshme në këto 11 vite asnjëherë nuk ka qenë e përfaqësuar në qeveri me poste ministrore. Prandaj, kam theksuar se kuadro të kalibrit të Uranit e Abelardit ka me qindra në Ferizaj", është shprehur ai për gazetën. Tutje ka shtuar: Unë jam larguar nga Grupi i Këshilltarëve të PDK-së, degës së Ferizajt, sepse jam i pakënaqur me mënyrën e qeverisjes lokale, keqpërdorimeve dhe marrjen e vendimeve në emër të degës nga dytre individë, duke anashkaluar organet e degës. Vetëm shikoni se si një pjesë e këshilltareve të pozitës pa fije turpi kanë punësuar dhe emëruar anëtarët e familjeve të tyre nëpër poste të caktuara. Dhe është edhe më ironike kur po këta të njëjtit i dëgjon duke folur për parime e moral politik. Këto punësime të paligjshme e nepotiste atyre ua ka mundësuar qeverisja komunale, vetëm e vetëm që të sigurojë votën e tyre edhe atëherë kur kjo votë ishte antiligjore. Me largimin tim nga Grupi i këshilltareve kam dashur që t'i them mjaft kësaj forme të qeverisjes dhe të përçojë mesazhin tek qytetarët se unë nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e kësaj keqqeverisjeje", është shprehur ai. Mustafa: Zëvendësministrat e sotëm nuk shkojnë në punë mbase me muaj të tërë Mustafa ka thënë se do të vazhdojë të mbetet nënkryetar i degës së PDK-së në Ferizaj."Natyrisht që jam në pritje të reflektimeve nga qendra lidhur me temat që kemi hapur dhe varësisht nga ky reflektim do të varet dhe e ardhmja ime politike. Janë me mijëra e mijëra aktivistë të vërtetë të PDK-së, të cilët mendojnë si unë, por të cilët ende nuk e thonë këtë publikisht. Pra, po flas për aktivistë, të cilët kanë investuar mund e kohë për afër 20 vjet për PDK-në, e jo aktivistë profiterë, që janë bërë pjesë e PDK-së vetëm pasi jemi bërë pjesë e pushtetit. Prandaj, po e them edhe një herë se PDK-ja duhet të reflektojë sa më shpejt, ndryshe largimet nga radhët e saj mund të rriten", ka theksuar Mustafa. Tutje ka shtuar:"Të mos harrojmë se kam qenë pjesë e qeverisë në tri mandate dhe përkundër të tjerëve që kanë qenë edhe pjesë e aferave korruptive, unë kam qenë njëri nga denoncuesit e vazhdueshëm të keqpërdorimeve. Sa kam qenë zëvendësministër pothuajse asnjë ditë pune nuk kam munguar në vendin e punës, kurse zëvendësministrat e sotëm nuk shkojnë në punë mbase me muaj të tërë dhe orarin e punës në ministri e zëvendësojnë me punët në bizneset e tyre", është shprehur ai. Hertica: Madhësia dhe fuqia e PDK-së janë ngritur në shpërputhje me pastërtinë e saj politike Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot" thekson se tkurrja e PDK-së i përngjan lumit, i cili, si çdo lumë e ka burimin e pastër, ndërsa rritja e saj ishte sikur vërshimi i lumit pas shirave ku shumë përroska kanë sjell në shtratin e lumit çfarë kanë mbetur përpara."Madhësia dhe fuqia e PDK-së janë ngritur në shpërputhje me pastërtinë e saj politike. Përroskat kanë sjell nga brenda dhe jashtë elemente që e kanë krijuar këtë gjendje me disa thuajse ikona. Po kur u publikuan përgjimet në mes zyrtarëve të PDK-së, ndodhi edhe thyerja e madhe në këtë parti, që erdhi deri te ndarja në mes të Hashim Thaçit në njërën anë, dhe Fatmir Limaj e Jakup Krasniqit në anën tjetër. Lideri i atëhershëm i PDK-së i kishte quajtur qytetarët e Malishevës "zagarë" gjatë një komunikimi që kishte me zyrtarët e PDK-së, kështu që në PDK zgjidhen ata që janë servilë dhe që nuk guxojnë fare që të mendojnë se e kanë trurin e tyre, por e kanë vetëm trurin e shefave të tyre dhe assesi nuk do të ketë ndarje më në PDK, sepse atëherë do të kenë fatin e shumë subjekteve të tjera që kishin dhe shkuan në humnerë të politikës, sepse ky subjekt politik i ka mbi 60 mijë veteranë të luftës, ku çdoherë janë të gatshëm që votat e tyre t'i japin për PDK-në dhe aleatët e saj", është shprehur Hertica për "Kosova Sot". Qytetarët kërkojnë reforma të thella në partitë politike Sabri Shabani, nga Gërdovci i Podujevës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se hezitimi i krerëve të partive politike për të bërë reforma qëndron tek ruajtja e pozitave dhe privilegjeve personale të individëve në këto parti. Kjo po ndodh nga frika se mos dikush tjetër nga partia e vet po ia zë vendin atyre nëpër institucionet e shtetit."Së këndejmi edhe e kemi fenomenin e kalimit të personaliteteve nga një subjekt politik në subjektin tjetër dhe këtë po e bëjnë vetëm e vetëm për t'i ruajtur ato privilegje që ai individ i ka pasur në një subjekt të caktuar politik", është shprehur ai. Sipas Shabanit, nuk duhet që të çuditemi fare se përse edhe ata individë në subjektet politike të caktuara po rebelohen dhe janë të pakënaqur sikurse Nehat Mustafa. "Thënë troç, në Kosovë partitë politike hezitojnë të bëjnë reforma brenda llojit, me qëllim që t'i ruajnë ato privilegje, ndaj nuk ka reforma në partitë politike, ngase tash e 20 vjet i kemi pothuajse të njëjtit persona që kalojnë nga një pozitë në pozitën tjetër", është shprehur ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Istogu, Esat Balaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se reformat e thella në kuadër të partive politike kosovare janë më së të nevojshme në mënyrë që t'u hapet rruga kuadrove të reja e të shkolluar e jo të mbeten personat e njëjtë."Edhe kërkesa e zyrtarit të PDK-së nga komuna e Ferizajt për reforma në këtë parti politike janë kërkesa shumë të drejta dhe me vend, sepse me kalimin e kohës të gjitha partitë politike duhet që të ndërrohen gjeneratat, të vijnë të rejat e të ndërrohen të vjetrat", është shprehur ai. "Unë konsideroj se nëpër ministri duhet që të vijnë kuadro nga komunat ku ato subjekte politike i kanë fituar zgjedhjet përballë rivalëve e jo të veprohet sikurse që nga paslufta po vepron lidershipi i PDK-së, që në kontinuitet po i zgjedh në postet ministrore personat që kanë humbur në kryeqendër. Pra, e them lirshëm se këto veprime të lidershipot të PDK-së po bëhen në stilin se kush i ka mirë me liderin partiak edhe do të zgjidhet ministër", është shprehur ai.

GURAZIU: PDK-JA ME MINISTRA TË DËGJUESHËM "Koha po tregon se në PDK janë kundër reformave, ngase në këtë parti ministrat duhet të jenë të dëgjueshëm dhe jo të mendojnë me trurin e tyre, por me trurin e shefit. Prandaj, këtij subjekti politik i ka humbur rruga në oborr. Kjo ngase ajo çfarë po bëjnë strukturat e larta të partisë tani po e favorizojnë degën e tyre në Prishtinë për çdo arsyeje, si në emërimin e ministrave apo edhe shefave të tjerë, duke anashkaluar degët e PDK-së komunale në ato komuna ku ka fituar PDK-ja. Prandaj, pritet që sërish të ketë ndarje të PDK-së, ngase kështu po flet zyrtari i kësaj partie, Nehat Mustafa, i cili haptazi e pa ngurrim thotë se Abelard Tahiri, që është krahu i djathtë i Hashim Thaçit dhe Uran Ismajli, që është krahu i djathtë i Kadri Veselit, nuk e meritojnë të jenë ministra dhe se 6 ministra të PDK-së janë zgjedhur nga degë të dështuara. Është bërë shprehi në PDK që ministra të zgjidhen vetëm ata individë që në realitet janë asistentë të shefave të partisë, pra njerëz të tyre të dëgjueshëm dhe që nuk guxojnë fare të mendojnë me trurin e tyre, por me trurin e shefit", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" SHKODRA: SERVILËT NË PDK IA SHIKOJNË GOJËN SHEFIT KAH I LËVIZ BUZËT Analisti politik Shefik Shkodra për gazetën "Kosova Sot" thotë se në PDK nuk zgjidhet kuadri i aftë e i pavarur. "Ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të jenë dëgjues të mirë të shefave të tyre. Duhet t'ia shikojnë shefit të tyre gojën kah i lëvizin buzët. Nuk ka shmangie nga fjala e tyre, se përndryshe nuk ha 'bukë' as njëzet e katër orë në taborin e tij. Edhe Abelard Tahiri dhe të gjithë Abelardët janë vetëm servisi i shefave në Partinë Demokratike(?) të Kosovës. Ata zbatojnë urdhrat e patronëve. Ata nuk mund të jenë ministra ndryshe", u shpreh analisti Shefik Shkodra për gazetën "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)