CEFTA përkëdhel Serbinë, Kosova humbëse e qindra milionave

  • 12 November 2018 - 07:57
CEFTA përkëdhel Serbinë, Kosova humbëse e qindra milionave

Abazi: Nuk mundet që Kosova vazhdimisht të dëmtohet e Serbia vazhdimisht të fitojë 

"Pas vendosjes se taksës prej 10 për qind për produktet serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, hapi më i mirë i radhës i Qeverisë 'Haradinaj' do të ishte që Kosova të rinegociojë Marrëveshjen me CEFTA-n, apo më mirë thënë që njëanshmërisht ta braktisë atë, sepse fundja asgjë nuk ia kemi parë hairin në aspektin e lehtësirave të tregtisë, por përkundrazi Serbia vetëm se e ka thelluar eksportin e saj të mallrave në Kosovë. Importuesi më i madh në Kosovë, i gati të gjitha produkteve, mbetet Serbia. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar rreth 450 milionë euro është vlera e produkteve të importuara nga ky shtet. Kurse 48 milionë euro është shuma e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë", është shprehur deputeti i opozitës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot"

t" Njohës të çështjeve ekonomike, deputetë të opozitës, thonë se Qeveria e Kosovës duhet të rinegocojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, CEFTA, pasi që në raport me vendet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje Kosova vazhdon të jetë në pozitë jo të barabartë. Siç dihet, vendet anëtare të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. Kosova u anëtarësua në vitin 2007. Sipas analistëve, fakti se në këtë marrëveshje janë Serbia e Bosnja është një justifikim i mjaftueshëm për Kosovën që të dalë nga kjo marrëveshje, sepse përfituesit më të mëdhenj të saj janë Serbia, por edhe Bosnja. Sipas analistëve, Kosova mund të bëjë marrëveshje me shtetet veç e veç, por nuk ka nevojë që ta përkëdhelë Serbinë, së cilës nuk i intereson gjë tjetër pos që si ta pushtojnë e nënshtrojnë ekonomikisht Kosovën dhe ta destabilizojë politikisht Kosovën. Eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, për gazetën "Kosova Sot" thotë se është fakt se Kosova me strukturën ekzistuese të eksportit dhe importit nuk përfiton shumë nga CEFTA."Një efekt pozitiv që është pritur nga të qenit anëtar në këtë asociacion është se vendi do të bëhej më tërheqës për investitorët e jashtëm, pasi që edhe ata do të mund të eksportonin në këtë rajon pa dogana dhe kufizime. Por në situatën që kemi me investime të jashtme edhe këtu nuk patëm ndonjë efekt. Kosova, gjithashtu, për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare ka interes të bëhet anëtare e organizatave dhe asociacioneve ndërkombëtare. Ndaj duhet të vlerësohet mirë pozita jonë këtu, anët pozitive dhe negative. Mundet që edhe kjo të zëvendësohet me marrëveshje bilaterale gjithashtu, por duhet vlerësuar gjithanshëm interesat e Kosovës", është shprehur Mustafa. Megjithatë, sipas Mustafës, marrëdhëniet ekonomike dhe të tjera midis Kosovës dhe Serbisë (dhe B e H duhet të ndahen nga CEFTA, nëse Serbia nuk i respekton marrëveshjet dhe dëmton ekonomikisht Kosovën, në fushën e tregtisë dhe energjisë e të ngjashme. "CEFTA nuk mund të jetë pengesë për masa reciproke në mbrojtjen e interesit ekonomik dhe kompensimin e dëmeve nga politikat e sjelljet e Serbisë. Kosova gjatë i ka mbyllur sytë dhe ka toleruar sjelljen e Serbisë në këtë fushë, ndaj tash kur Kosova reagon dikujt i duket e çuditshme. Masat reciproke janë legjitime dhe të nevojshme, ato duhet të studiohen, arsyetohen dhe mbesin në fuqi derisa të evitohen arsyet për të cilat janë ndërmarrë", është shprehur Mustafa për gazetën "Kosova Sot". Abazi: Kosova duhet t'i rishikojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë Njohësi i çështjeve ekonomike e financiare, Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se Kosova duhet të rishikojë Marrëveshjen me CEFTA-n e ndoshta edhe të dalë fare nga kjo nëse ndihet e pabarabartë apo edhe humbëse."Kosova duhet t'i rishikojë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel, sidomos atë të 19 prillit 2013 dhe atë të 2015, që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe, e që e ka atakuar edhe Gjykata Kushtetuese. Prandaj, nuk mundet që Kosova vazhdimisht të dëmtohet e Serbia të fitojë vazhdimisht", është shprehur ai. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se siç dihet botërisht CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor."Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007, kurse veç saj anëtare janë, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. Mirëpo, sjellja e disa shteteve me pengesat në eksport mallrash, ku prijnë Serbia edhe Bosnja e Hercegovina, po na tregon se më nuk ka asnjë dyshim se tashmë ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës ta rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, CEFTA. Kjo pasi që në raport me vendet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje vazhdon të jetë në pozitë jo të barabartë, në krahasim me vendet e tjera anëtare të CEFTA-s", është shprehur Salihu për gazetën. Ai tutje ka shtuar se Kosova duhet të dalë nga kjo marrëveshje, sepse përfituesit më të mëdhenj të saj janë Serbia, por edhe Bosnja. "Kur e them se duhet të bazohemi në faktin se edhe pa qenë pjesë e CEFTA-s Kosova mund të bëjë marrëveshje me shtetet veç e veç, por nuk ka nevojë që ta përkëdhelë Serbinë, së cilës nuk i intereson gjë tjetër pos që si ta pushtojnë e nënshtrojnë ekonomikisht Kosovën dhe ta destabilizojë politikisht Kosovën". Sipas Salihut, pas vendosjes së taksës prej 10 për qind për produktet serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, hapi më i mirë i radhës i Qeverisë 'Haradinaj' do të ishte që Kosova të rinegocojë Marrëveshjen me CEFTAn apo më mirë thënë që njëanshmërisht ta braktisë sepse fundja asgjë nuk ia kemi parë hairin në aspektin e lehtësirave të tregtisë, por përkundrazi, Serbia vetëm se e ka thelluar eksportin e saj të mallrave në Kosovë. "Importuesi më i madh në Kosovë i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar rreth 450 milionë euro është vlera e produkteve të importuara nga ky shtet. Kurse 48 milionë euro është shuma e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë", është shprehur Salihu.

SHKELJA E MARRËVESHJES SË CEFTA-S NGA SERBIA ËSHTË BËRË RUTINË Lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" thotë se shkelja e marrëveshjes së CEFTA-s, kryesisht nga Serbia, por edhe nga Bosnja e Hercegovina, është bërë rutinë dhe në këtë drejtim Kosova ka qenë e detyruar që përmes taksës 10 për qind të mbrojë prodhimin e vet, ekonominë e vet. "Kosova kohë pas kohe ka vendosur disa masa reciprociteti, të cilat kanë qenë afatshkurtra dhe nuk kanë pasur ndonjë efekt në praktikë. Në këtë drejtim, shteti i Kosovës nuk ka hartuar ndonjë strategji më serioze dhe profesionale në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe do t'i mbronte interesat e ekonomisë dhe subjekteve ekonomike që veprojnë në Kosovë. Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje janë përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta. Barrierat tregtare që shtetet si Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u kanë vënë produkteve nga Kosova ka bërë që edhe Kosova të reagojë, duke vendosur masa reciprociteti. Problemet në zbatimin e CEFTA-s qëndrojnë te barrierat jotarifore. Ne më së paku besoj e kemi shkelur dhe në minimum ka pasur ankesa. Ndërsa, nëse i shikojmë tregjet përreth, gjithkund jemi ballafaquar me këto barriera jotarifore dhe asnjëherë Brukseli, në asnjë instancë, nuk ka reaguar fuqishëm, por dhe për cenimin e së drejtës së barabartë për të shfrytëzuar këtë marrëveshje, CEFTA-n. Në tërë këtë situatë, Kosova si pjesëmarrëse e CEFTA-s ka përfituar më së paku në këtë drejtim dhe se barrierat në përqindje më të madhe i janë vendosur Kosovës nga shtetet tjera. Prandaj asgjë të keqe nuk do të kishte edhe sikur ana e Qeverisë së Kosovës të rinegociohej statusi i Kosovës në CEFTA", është shprehur kreu i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot". GRAPCI: SERBIA PO E DESTABILIZON KOSOVËN POLITIKISHT DHE EKONOMIKISHT Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" thotë se arsyeja përse Kosova duhet që ta rinegocojë Marrëveshjen me CEFTA-n qëndron tek Qeveria e Kosovës, që për fatin tonë të keq po e dëgjon së tepërmi Qeverinë e Serbisë më shumë sesa këshillat dhe instruksionet e BE-së. "Prandaj tani është koha që Qeveria e Kosovës të fillojë rinegocimin me CEFTA-n për Marrëveshjen për Tregti të Lirë. Për t'u çliruar Kosova nga CEFTA paraprakisht Qeveria e Kosovës duhet që të shkapet nga ndikimi i Qeverisë së Serbisë dhe pazaret e saj, si dhe që të fokusohet më shumë tek importimi i produkteve evropiane dhe duke rritur taksat për produkte serbe në vazhdimësi e jo atyre nga vendet ballkanike, veçanërisht siç janë produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Edhe Kosova duhet që t'i bëjë dy hapa dhe hapi i parë duhet që të fillojë me rinegocimin me shtetet anëtare të BE-së përballë dhe t'ua thotë realitetin dhe më pastaj le të kërkojnë një rinegocim me CEFTA-n, por vetëm duke qenë të barabartë. Ndërsa, hapi i dytë që duhet ta marrë Kosova është vetëm dëgjimi çka thotë BE-ja, e jo çfarë thotë Qeveria e Serbisë, sepse si qytetarë vetë jemi dëshmitarë se Qeveria e Kosovës është shumë indiferente ndaj kërkesave të Serbisë, duke i lënë së tepërmi anash interesat e Kosovës, që për pasojë e kemi këtë gjendje që po sjell destabilizim të situatës politike, por edhe ekonomike", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti i ekonomisë, Dardan Grapci

(Kosova Sot)