Grapci:Të shfrytëzohen burimet alternative

  • 15 November 2018 - 20:33
Grapci:Të shfrytëzohen burimet alternative

Analisti Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se qeveritarët tanë si duket po jetojnë ende me idenë e shek.19-20, ku furnizimi me energji elektrike duhet të jetë vetëm nga termocentralet me thëngjill.

"Së këndejmi, vlerësoj se Banka Botërore dhe BERZH-i kanë reaguar në mënyrë të rregullt, dhe jo vetëm këta, por duhet që të largohen edhe investitorët, emrat e të cilëve që nuk janë bërë publikë, andaj në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet që të marrë masa për parandalimin e ndërtimit të këtij termocentrali me thëngjill. Kjo, ngase sot jetojmë në një kohë ku teknologjia dhe idetë janë pak më ndryshe se në kohët e mëparshme, pasi sot ka alternativa më të shëndetshme për krijimin e energjisë elektrike sesa që ishte deri më tash energjia me thëngjill", theksoi ai. "Para 10 - 12 vjetëve në Gryken e Rugovës një investitor i huaj ka dashur që të ndërtojë digën për një hidrocentral, por ka qenë pengesë në këtë drejtim Kisha Ortodokse apo si njihet me emrin Patrikana e Pejës, që janë ankuar dhe ky projekt u anulua. Prandaj, ka ardhur koha që mos të dëgjojmë as krerët e kishave e as të xhamive, por të dëgjohet zëri i qytetarit, sepse kam besim të plotë se një ditë në lokalitetin e Rugovës do të ndërtohet ky hidrocentral dhe shumë të tjerë në tërë territorin e Kosovës", vlerësoi Grapci. "Me këtë do të ulet edhe çmimi i energjisë elektrike deri në 60 për qind. Nëse duam ambient të pastër, pa ndotje, atëherë u bëj apel institucioneve tona që ta marrin pak seriozisht këtë problem dhe le të mendojnë për alternativa të tjera të furnizimit me energji elektrike e jo vetëm me thëngjill", shtoi më tutje ai.

 

(Kosova Sot)