Suspendohen pesë policë të Kosovës, abuzuan me pjesëtarin e LGBTI

  • 17 November 2018 - 19:25
Suspendohen pesë policë të Kosovës, abuzuan me pjesëtarin e LGBTI

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës të një stacioni policor në Prishtinë janë suspenduar për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke abuzuar me një pjesëtar të komunitetit LGBTI. Ndaj këtyre zyrtarëve është iniciuar edhe procedurë gjyqësore për kryerje të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht Departamenti i Hetimeve të saj ka filluar një hetim paraprak pas publikimit të një videoje fillimisht në portalin “Kallxo.com” (me titullin “Policia e Kosovës abuzon me personin që e akuzon se është pjesëtar i LGBTI”) e pastaj e njëjta video është publikuar  edhe në portale të tjera”.

Hetimet kanë filluar dje sipas detyrës zyrtare (ex officio) lidhur me dyshimin se zyrtarë policorë   kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” e paraparë me nenin 198 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprës penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së gjatë hetimit preliminar kanë grumbulluar disa dëshmi si dhe kanë identifikuar pesë zyrtarë policorë që dyshohen për këtë rast. Hetuesit e  IPK-së poashtu kanë kuptuar se këta zyrtarë policorë nuk kishin hapur rast lidhur me deklarimin e ankuesit për kanosje.

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar dje (16.11.2018) Policisë së Kosovës suspendimin këtyre pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu (Drejtoria Rajonale e Prishtinës) deri në përfundim të këtij hetimi.

Sipas rekomandimit të IPK-së që të pesë zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast janë suspenduar nga Policia e Kosovës.

Lidhur me këtë rast është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe me rekomandimin e të njëjtit ky rast do të vazhdojë në procedurë të rregullt. 

 

(Kosova Sot)