Brenda 10 muajve realizohen mbi 1200 shkyçje nga ujësjellësi dhe kanalizimi

  • 19 November 2018 - 13:01
Brenda 10 muajve realizohen mbi 1200 shkyçje nga ujësjellësi dhe kanalizimi

KRU ”Prishtina” sh.a. ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, se nga muaji janar ka filluar me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas KRU “Prishtina”, me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Ndëshkimi vlen për secilin konsumatorë, shtëpiak e institucional / komercial. Përveç aplikimit të shkyçjeve individuale të konsumatorëve borxhlinj, KRU “Prishtina”, po merret edhe me procesimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat. Brenda 10 muajve, janë realizuar mbi 1200 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit. Veç në muajin tetor 2018 janë shkyçë 91 konsumatorë. Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU ” Prishtina” sh.a.si : Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.  Duke filluar nga muaji shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike", thuhet në komunikatë.

KRU ”Prishtina”, thotë se për shkak të sigurimit të shërbimeve cilësore të ujit të pijshëm në pajtim me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përfshirë furnizim me ujë të pijshëm dhe cilësorë 24 orë pa ndërprerë, kërkon nga të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, që të jenë të rregullt në pagesat e tyre për shërbime të ujit dhe kanalizimit.

KRU ”Prishtina”, është duke e paguar kredinë prej 20 milionë euro që kanë marrë nga Banka Gjermane për Zhvillim.

(Kosova Sot)