Shkodër, vritet në operacion oficeri i FNSH-së; RENEA rrethon të dyshuarin

  • 03 October 2015 - 20:53
Shkodër, vritet në operacion oficeri i FNSH-së; RENEA rrethon të dyshuarin

Një oficer policie i qarkut Shkodër ka mbetur i vrarë pasditen e së shtunës gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se uniformat blu, në bashkëpunim me ato të FNSH-së, ishin vënë në ndjekje të një personi që më herët kishte plagosur një të ri 21-vjeçar. 

Për t’i shpëtuar rrethimit të policisë, shtetasi Ruzhdi Aishta ka hapur zjarr ndaj tyre duke plagosur rëndë komandantin e FNSH-së, Simon Gjeta, i cili ka ndërruar jetë pak më vonë, rrugës për në spital. 

Ndërkohë, i kërkuari mbahet i rrethuar nga forcat speciale të RENEA-s, të cilat u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të FNSH-së.

Më herët, Aishta ishte përfshirë në një sherr në një lokal në fshatin Oblikë, ku kishte qëlluar me armë 21-vjeçarin Besmir Sherbela. 

Ngjarja ndodhi pas një sherri të momentit, me Sherbelën që mori një plagë në shpatull, ndërsa Aishta arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.

21-vjeçari Sherbela u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.