Kurti i gatshëm të shkojë bashkë në zgjedhje edhe me hajnat e ligës së dytë

  • 04 October 2015 - 15:53
Kurti i gatshëm të shkojë bashkë në zgjedhje edhe me hajnat e ligës së dytë

Albin Kurti dikur i kishte quajtur AAK e NISMA’n si hajna të ligës së dytë derisa tash deklarohet se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje bashkë me këto dy parti.

"E dim se ka hajna edhe në LDK, AAK e NISMA, por janë hajna të ligës së dytë, ndërsa këta të PDK-së, janë hajna të superligës”.
 Kjo ishte deklarata e Kurtit e dhënë tetor të vitit 2014.

Dhe, tash, pikërisht me ata që i kishte quajtur hajna të ligës së dytë po synon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sidoqoftë, VV, AAK e NSIMA u bënë përsëri bashkë për një kauzë kundër “Zajednicës”. Edhe më shumë i ka afruar kërkesa për mos nënshkrimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Janë tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që deri tash kanë mbledhur mbi 150 mijë nënshkrime për peticionin që përkrah kërkesat e opozitës.

Bllokuan për dy javë punën në Kuvendin e Kosovës e të gatshëm po tregohen për ta bllokuar edhe më tej.

Të gatshëm janë edhe për protesta dhe masa të tjera. Deputeti Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress, e fuqizon edhe më shumë vendosmërinë e tri partive për këto kundërshtime.

Por, a është ky një sinjal për një bashkim në rrugë edhe më të gjatë të bllokut opozitar, kjo është pyetja që shumë po ja kërkojnë përgjigjen. Vetë Kurti, për KosovaPress, tregon se çfarë janë gjasat për grupin e ri të tri partive opozitare.

“Ne jemi bashkë në aktivitete dhe bashkë në qëndrime sa i përket kundërshtimit të “Zajednicës” dhe besoj se do të vazhdojmë ta kundërshtojmë bashkë derisa ta korrim suksesin e plotë, i cili në fund të fundit nuk është sukses i yni, por i qytetarëve të Republikës dhe vetë Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Albin Kurti tha se për të ardhmen politike të 3 partive në opozitë, as që e kanë diskutuar deri më tani.

“Kur të mbërrijmë tek ajo urë do ta kalojmë edhe atë, por është tepër herët që ajo të diskutohet e lërë më të merret vendim për atë gjë. Ne nuk dëshirojmë që në këtë fazë ta dobësojmë bashkëpunimin tonë dhe ta zvogëlojmë energjinë tonë duke u marrë me çështje të cilat janë tepër të hershme dhe nuk mund te flitet për to në këtë kohë. Unë edhe nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e di se këto tema nuk janë diskutuar me AAK-në dhe Nismën”, tha Kurti.

Të vetëm apo me dy partitë tjera opozitare, Kurti thotë se janë të gatshëm edhe për zgjedhje të reja. Por, më kryesore për momentin mbetet ndalja e “Zajednicës”.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhjet e ardhshme sepse një ditë më pak me këtë koalicion qeverisës PDK-LDK-Srpska, do të thotë një ditë më shumë për Republikën e Kosovës. Jemi të vendosur që tash t’i përqendrojmë të gjitha forcat në ndaljen e “Zajednicës”. Mirëpo, zgjedhjeve parlamentare ne nuk ju ikim, përkundrazi, jemi shumë të interesuar e të gatshëm për to sepse tash ndodhemi në fazën ku në mënyrë të pakompromis duhet ta luftojmë dhe bllokojmë “Zajednicën”. Bllokimi që ja ka bërë opozita e bashkuar Kuvendit të Republikës është për Kuvendin e Republikës dhe rezistencë ndaj qeverisë dhe “Zajednicës” së saj me Serbinë e Vuçiqit”, tha Kurti.