Qeveria e Kosovës e quan kriminale deklaratën e Daçiqit se Kosova është si ISIS’i

  • 04 October 2015 - 17:50
Qeveria e Kosovës e quan kriminale deklaratën e Daçiqit se Kosova është si ISIS’i

Zyrtari i Qeverisë së Kosovës, Bajram Gecaj e ka quajtur kriminale deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se pranimi i Kosovës në UNESCO është njësoj si pranimi i ISIS’it në këtë organizatë.

“Deklarata e mëposhtme e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, edhe një herë dëshmon se as Daciq dhe as politika serbe ende nuk po mund të shkëputen plotësisht nga e kaluara kriminale e shtetit të Serbisë. Daçiq ishte pjesë e regjimit të Serbisë në kohën kur ai regjim në mënyrë të organizuar dogji mbi 200 xhami dhe objekte të tjera të kultit në Kosovë, mbylli shkollat dhe fakultetet në gjuhën shqipe, grabiti pasuritë e trashëgimisë kulturore...”, ka shkruar Gecaj, në reagim.

Sipas tij, deklarata e tillë e Daçiqi e vështirëson edhe më shumë përmirësimin e raporteve ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë.

“Ndërsa tani, mu ai mundohet të barazoi një krim të tillë, të organizuar dhe të planifikuar nga organet e tyre shtetërore, me një pakënaqësi të rastit të disa njerëzve në Kosovë, pakënaqësi të cilën institucionet e Kosovës, jo vetëm që nuk e organizuan, por që bën çmos për parandalimin dhe në fund edhe dhënien fund të saj”.