AAK i reagon Mustafës: Reflekto e mos ço selame nga Facebook-u

  • 10 October 2015 - 13:33
AAK i reagon Mustafës: Reflekto e mos ço selame nga Facebook-u

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratës së stome të kryeministrit Isa Mustafa, i cili tha se nuk do të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel.

AAK thotë se është për keqardhje që Kryeministri i vendit, nuk ka kuptuar asgjë dhe kundërshtimin e më shumë se 200 mijë qytetarëve të marrëveshjeve që i ka nënshkruar vetë, i cilëson probleme joreale.

Sipas AAK-së,  nuk është aspak e vërtetë që nuk ka pasur dëshmi, që i kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Ato kanë qenë shumë dhe nga shumë burime, por kryeministri nuk e ka parë të arsyeshme, as t'i dëgjojë ato, e lere më t'i konsiderojë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK thotë se “nuk është ‘hyxhymi’ i Opozitës për të ardhur dhunshëm në pushtet, por shqetësues është hyxhymi i Kryeministrit që dy marrëveshjet kontestuese, t'i bëjë akt të kryer”.

“Kryeministër refletoni, siç paskeni filluar të reflektoni, dhe riktheni marrëveshjet që t'i diskutojmë bashkarisht dhe mos provoni që të na i impononio si akt kë kryer, dhe vazhdojeni qeverisjen me sfidat tjera të rënda, pse jo edhe me mbështetjen tone. Kryeministri është i obliguar që ta dëgjojë zërin qytetarë, por edhe të opozitës, dhe të mos veprojë me logjikën diktatoriale se çka është prolem real dhe joreal”.

“Reflektimi i tij është i thjeshtë, i domosdoshëm dhe në interes të funksionalitetit e të stabilitetit të vendit. Edhe njëherë i bëjmë thirrje atij dhe gjithë të tjerëve që të kenë një qasje konstruktive ndaj këtyre dy cështjeve, jetike për vendin, dhe të mos barrikadohen në pozitat e ‘pushtetit të gjithfuqishëm’, e neve t'na detyrojnë që të mos zgjedhim as mjete për t'i kundërshtuar.

Është koha e fundit për maturi dhe qetësi politike e jo për kryeneqësi e selame nga Facebooku!”, thuhet në reagimin e AAK-së.

(Kosova Sot)