Zeka: Salustro ishte kryemafioz i mafisë ndërkombëtare në Kosovë

  • 13 October 2015 - 18:15
Zeka: Salustro ishte kryemafioz i mafisë ndërkombëtare në Kosovë

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, është zhvilluar të martën seanca gjyqësore ndaj gazetarit Milaim Zeka dhe Rrustem Rrukollit, të cilët po akuzohen për veprën penale “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare dhe privatësisë”.

Gazetari Milaim Zeka, ka bërë të ditur për Kosovapress se gjyqi ndaj tij do të jetë gjyqi më i turpshëm i EULEX-it në histori.

Sipas tij, akuzat për kinse zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në një proces gjyqësor, janë krejtësisht të pavërteta, sepse ai nuk ka zbuluar identitetin e dëshmitarit në fjalë dhe as nuk e ka intervistuar.

Ai ka falënderuar qeverinë suedeze e cila ka dërguar dy përfaqësues të vet për ta vëzhguar gjyqin e sotëm, ndërsa u shpreh i bindur se do ta fitojë këtë proces gjyqësor.

Ndërkaq, avokati i të pandehurit Rrustem Rukolli, Gregori Guy Smith, tha se Zeka dhe Rukolli nuk janë fajtorë për atë që po akuzohen.

Seanca do të vazhdojë nesër, ndërsa dëshminë para Trupit Gjykues do ta ofrojë dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, i koduar si ‘dëshmitari I’, njofton Kosovapress.