Ministria e Infrastrukturës nuk e lejon nyjën e autostradës për Mamushën

  • 25 November 2015 - 19:29
Ministria e Infrastrukturës nuk e lejon nyjën e autostradës për Mamushën

Ndihen të mashtruar nga ministri Lutfi Zharku

Banorët e Mamushës u mashtruan nga Qeveria se do të kenë lidhje në autostradën e re. Ata veçanërisht shprehen të pakënaqur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe thonë se u mashtruan nga ministri Lutfi Zharku, i cili thonë se i ka fjalët si Demushi, e punët si kurrkushi

“Rruga e madhe”, siç kanë dëshirë ta quajnë autostradën banorët e Përdrinisë, i ka gëzuar banorët e shumë prej komunave të rajonit të Prizrenit. Edhe banorët e komunës së vogël të Mamushës, e banuar kryesisht me pjesëtarë të komunitetit turk, i ishin gëzuar ndërtimit të kësaj arterie të rëndësishme që kalon “përmes” shtetit. Por, ata u mashtruan nga qeveria se do të kenë lidhje në autostradën e re. Veçanërisht shprehen të pakënaqur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe thonë se u mashtruan nga ministri Lutfi Zharku.

U gënjyen nga ministri

Kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Bytyçi, ka një mal me ankesa, por veçon pamundësinë e lidhjes në autostradë. Janë 20 fshatra të Përdrinisë që kërkojnë të kenë një qasje më të lehtë në autostradë. Ndryshe nga Mamusha deri në autostradë janë 4.5 kilometra rrugë që duhet shtruar, derisa me ndihmën e KFOR-it turk ka nisur puna në rregullimin e kësaj rruge në gjatësi 1.5 km. Por, problematike po del leja për kyçje në autostradë. Edhe pse institucionet qendrore në Prishtinë i kishin premtuar se do të lejojnë një nyje në autostradë, që do të ishte më e përshtatshme për banorët e Mamushës, megjithatë Ministrisë e Infrastrukturës i ka kthyer përgjigje negative. “Deri më tani kemi pasur premtime të shumta se do të lejohet një qasje e tillë. Mirëpo, së fundi para dy ditësh kemi marrë një letër nga ministri Zharku se kinse nuk na lejohet kjo qasje për shkak të kushteve të autostradave”, thotë Bytyçi. Sipas tij, janë lejuar nyje edhe në distanca më të vogla gjegjësisht nga 7.7 kilometra, si në Suharekë, Biraq e Duhle, derisa nyja në Mamushë ka një distancë më të madhe..(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)