Konfirmohet nga shteti: Ka gaz në Lipjan, por jo në sasi të mëdha

  • 26 November 2015 - 17:28
Konfirmohet nga shteti: Ka gaz në Lipjan, por jo në sasi të mëdha

Shteti tani ka një përgjigje se në fshatin Torinë të Lipjanit ka edhe gaz natyror. Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, pas marrjes së mostrave, ka konstatuar se substanca natyrore që ka dalë në sipërfaqe të fshatit, është gaz natyror. Por, ndonëse banorët e Torinës se Lipjanit, e kanë pritur me gëzim lajmin se në fshatin e tyre po del gazi natyror për faktin se përmes tij, ata shpresojnë se një ditë mund të ketë investime dhe rritje ekonomike, një gjë e tillë nuk mund të jetë e mundur. Në ShGJK thonë se në atë pjesë nuk mund të priten rezerva të mëdha potenciale të gazit natyror.

Shërbimi Gjeologjik i Kosovës ka konstatuar se në Torinë të Lipjanit ka gaz natyror. Sipas tyre, origjina e gazit natyror lidhet me prezencën e qymyroreve në këtë hapësirë të Kosovës. 

Kurse njohësit e kësaj fushe, në punëtorinë e organizuar për perspektivën e hulumtimeve të gazit natyror në Torinë, kanë thënë se substanca është paraqitur në dy puse me përmbajtje të lartë të metanit. Gjithashtu është thënë se nuk mund të priten rezerva të mëdha potenciale të gazit natyror duke u bazuar në kushte dhe ndërtimin gjeologjik në të cilën ndodhet baseni qymyrmbajtës i Kosovës, shkruan Gazeta Express. 

“Është konstatuar se origjina e gazit natyror të paraqitur në fshatin Torinë është produkt i prezencës së qymyroreve në këto hapësira dhe vendi i paraqitjes së gazrave i përket zonës periferike në pjesën jugë-perëndimore të pellgut qymyrmbajtës të Kosovës”. 

“Njohës të kësaj fushe pjesëmarrës në takim kanë thënë se në fshatin Torinë është paraqitur gazi natyror në dy puse me përmbajte të lartë të metanit”. 

Me këtë rast, kryeshefi i SGJK’së, Fidaim Sahiti, ka thënë se ky institucion ka monitoruar daljen e gazit natyror qysh para një vit kur është paraqitur për herë të parë.Ai ka pohuar se për dallim nga viti i kaluar tani kapaciteti dhe presioni në atë lokalitet është shumë më i ulët. E njëjta ka ndodhur edhe me lokalitetin e dytë ku është paraqitur këtë vit gazi natyror. Sipas tij gjatë monitorimit të rrjedhjes së gazit nga SHGJK, pas kalimit të kohës, presioni i rrjedhjes së gazit ka rënë në masë shumë të ulët, nga 82m thellësi në 17.55m 

 Edhe në të kaluarën Instituti INKOS me qëllim të hulumtimit të qymyreve në basenin qymyrmbajtës të Kosovës në këtë zonë, gjatë ekzekutimit të shpimeve ishin paraqitur rrjedhjet e gazit, të cilat kishin qenë me sasi shumë të vogla që nuk kishin dhënë premisa potenciale për hulumtimin dhe shfrytëzimin e tyre për çështje ekonomike. 

Express kishte vizituar dy lokacionet ku ishte paraqitur gazi natyror. Të dy pronarët ku ishte paraqitur gazi kanë thënë për Express se shteti nuk kishte ngjallur shumë interesim. Por, përderisa shteti nuk u interesohu për këtë, sipas njërit pronar, Ajet Kadriajt ishin interesuar investitorë rus për këtë zbulim. Ndërsa banori tjetër, Emin Ilazi, tha se janë në kontakt me disa investitorë, por jo me rus, me të cilët po bisedon për mundësinë e investimeve në “gazin e Lipjanit”.