Vazhdojnë gërmimet për varrezë masive në Kizhevak të Rashkës

  • 30 November 2015 - 10:28
Vazhdojnë gërmimet për varrezë masive në Kizhevak të Rashkës

Gërmimet të cilat nisen të hënën e kaluar në Kizhevak të Rashkës e që më pas u ndërprenë për shkak të reshjeve atmosferike pritet të nisin sërish sot.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.

“ Sot e kemi marrë njoftimin se gërmimet do të vazhdojnë sërish dhe ekipi ynë do të shkojë sot atje që të marrë pjesë në këto gërmime”, tha ai.

Gjetaj në mbledhjen e fundit të këtij komisioni ka thënë se shqetësim për ta mbetet koha kur pala serbe ka kërkuar që të nisin gërmimet pasi që tash është vështirë të kryhen punimet për shkak të kushteve atmosferike.

Ai po ashtu ka shtuar se shqetësim tjetër është edhe fakti se pala kosovare ende nuk është njoftuar nga ajo serbe me planin e punimeve në këtë lokacion ndonëse e ka shtruar një kërkesë të tillë tashmë e disa ditë.

Rikujtojmë se në lokacionin Kizhevak në regjionin e Rashkës në të cilin nisën gërmimet vlerësuese të hënën e kaluar, dyshohet për 200 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka ndarë 13 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të delegacionit nga Republika e Kosovës, të angazhuar në gërmimet vlerësuese në regjionin e Rashkës, punime të cilat thuhet se do të zgjasin rreth rreth 6 javë.

Sipas të dhënave që ka KosovaLive ende figurojnë të zhdukur rreth 1.600 persona fati i të cilëve nuk është zbardhur edhe 16 vite pas luftës.