Kerry takon Mustafën, Thaçin dhe Stojanovicin në Aeroportin e Prishtinës

  • 01 December 2015 - 16:32
Kerry takon Mustafën, Thaçin dhe Stojanovicin në Aeroportin e Prishtinës

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, nesër gjatë qëndrimit të shkurtër në Aeroportin e Prishtinës, do të takojë Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat Hashim Thaçin dhe Braninir Stojanovic.

Për shkak të agjendës së ngjeshur, Kerry nuk do të vijë fare në Prishtinë, por takimet do t’i realizojë në Aeroportin e Prishtinës.

Burime bëjnë të ditur se Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë vetëm Kryeministrin Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat Branimir Stojanovic dhe Hashim Thaçin, i cili është edhe Ministër i Jashtëm.

E pranishme në takimin me Kerry do të jetë edhe Ndihmëssekretarja Victoria Nuland. Takimi me zyrtarë kosovarë do të jetë i përbashkët, në një zyrë të improvizuar, në Aeroportin e Prishtinës. Ndërkohë pas takimit do të ketë vetëm prononcime të Kerryt dhe Kryeministrit Mustafa, por pa mundësi për pyetje nga gazetarët.

Siç merr vesh Gazeta Express, Kerry nuk do ta takojë Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ditë më parë e ka takuar Zëvendëspresidentin Joe Biden në Kroaci.

Vizita e Kerryt në Kosovë dhe rajon ka zgjuar edhe interesimin e medieve ndërkombëtare të cilat kanë bërë me dije se Kerry me autoritete e Kosovës do të ngrit çështjen e pjesëmarrjes së kosovarëve në ISIS, çështjen e korrupsionit në Kosovë dhe dialogun me Kosovën dhe Serbinë.