Polonia kërkon mbështetje ndërkombëtare

  • A.P /
  • 05 March 2023 - 17:34
Polonia kërkon mbështetje ndërkombëtare

Polonia do t’u bëjë thirrje të gjitha institucioneve të mundshme ndërkombëtare për mbështetjen e përpjekjeve të saj për të kërkuar dëmshpërblime për krimet gjermane të luftës dhe shkatërrimin e vendit gjatë pushtimit gjerman në vitet 1939-45.

“Varshava do ta ngrejë çështjen e mungesës së reparacioneve të Gjermanisë për Poloninë pas Luftës së Dytë Botërore, të mungesës së dëmshpërblimeve dhe procedurave gjyqësore për individët, si dhe mungesën e kthimit efektiv për Poloninë dhe vendet e tjera të Europës Qendrore, në të gjitha forumet e mundshme ndërkombëtare”, tha zëvendësministri i Jashtëm polak, Arkadiusz Mularczyk.

“OKB-ja, Këshilli i Evropës, Kongresi i SHBA-së dhe BE-ja në të ardhmen, janë të një rëndësie kyçe për ne”, theksoi ai.

Më 1 shtator 2022, qeveria polake prezantoi një raport gjithëpërfshirës që detajonte humbjet materiale të pësuar nga Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore së bashku me një zotim për të kërkuar para nga Gjermania si dëmshpërblime në shumën prej 1,3 trilionë euro.

Ministria e Jashtme gjermane ka hedhur poshtë pretendimet e Polonisë dhe ka deklaruar se çështja është mbyllur dhe se qeveria gjermane nuk do të hyjë në negociata për këtë temë.

“Gjermania më në fund duhet të fillojë të kërkojë një zgjidhje për këtë problem”, vazhdoi Muarczyk, duke shtuar se Polonia do të vazhdojë ofensivën e saj diplomatike në këtë drejtim.

“Ne u kemi dërguar mbi 50 nota diplomatike vendeve të BE-së, Këshillit të Evropës dhe NATO-s me raportin tonë për humbjet e Luftës së Dytë Botërore, kështu që mund të besojmë se ministritë e Jashtme të vendeve evropiane, SHBA dhe Kanada janë të vetëdijshme për problemin”, tha ai.

Mularczyk deklaroi gjithashtu se, për shkak të takimeve të tij me politikanë të shumtë evropianë dhe amerikanë, si dhe zyrtarë të OKB-së, “e gjithë çështja është bërë më publike dhe më e njohur si në Evropë ashtu edhe në botë”.

Sipas Mularczyk, kjo është shumë e rëndësishme kur Gjermania po përpiqet t’i bashkohet Këshillit të Sigurimit të zgjeruar të OKB-së.

“Të gjithë në OKB duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se Gjermania nuk ka qenë e gatshme të zhvillojë bisedime për reparacionet dhe se ajo ka ende borxhe të papaguara ndaj Polonisë dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore”, tha ai.

“Kështu Gjermania nuk ka një mandat moral për të mbajtur funksione të tilla prestigjioze”, përfundoi Mularczyk.

(Kosova Sot Online)