Kurti: Do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë

  • E.K /
  • 29 March 2024 - 11:43
Kurti: Do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do t’i përfundojnë punët që “qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti ka shkruar se do t’i përfundojnë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rruga Prishtinë-Pejë.

Për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka nisur para 15 vjetësh, Kurti ka thënë se kanë filluar punimet me hov dhe se nga një rrugë me dy korsi, po kthehet në rrugë nacionale me dy drejtime e katër korsi.

Për Autostradën Prishtinë-Gjilan, Kurti ka thënë se po shkon drejt përfundimit.

“Mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar. Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më pare”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, ka shtuar se tash së fundmi janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc, me një gjatësi 12.8 km, në vlerë prej 21 milionë euro.

(Kosova Sot Online)