Dekanët e rinj, pa punime shkencore me renome ndërkombëtare

  • 09 February 2016 - 17:35
Dekanët e rinj, pa punime shkencore me renome ndërkombëtare

Jashari: Dekanët dhe senatorët, të rekrutuar mbi merita partiake

Disa nga dekanët që janë zgjedhur dhe rizgjedhur në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim shkencor të botuar në revistat me renome ndërkombëtare. Mbetet të shihet se në këta katër vjet nga do të shkojë Universiteti “Hasan Prishtina”, duke bërë miqësi me politikën, apo duke ofruar reforma të thella, në interes të studentëve dhe shoqërisë  

A mund të ofrojnë cilësi disa nga dekanët e rinj të zgjedhur dhe të rizgjedhur të Universitetit “Hasan Prishtina”, sidomos ata që nuk kanë punime shkencore dhe që janë të njohur për afera të ndryshme, për ndikime në Universitet dhe që kanë pasur dorë në shkarkimin e rektorit në largim Ramadan Zejnullahu? Tashti, me zgjedhjen e këtyre dekanëve, është cenuar rëndë autonomia e UP-së dhe me këtë njollë të zezë do të vazhdojë edhe për së paku 4 vjet. Në këto raste shpesh mund të pyesim se a ka shpëtim UP-ja? Por përgjigje në këto pyetje do të japin vetë dekanët, natyrisht jo të gjithë, të cilët qysh në fillim vërehet se janë larg nga ajo që duhet të ketë UP-ja. Dekanë pa punime shkencore ndërkombëtare, pa ndonjë aktivitet të shquar brenda dhe jashtë UP-së nuk japin shumë shpresë se Universiteti i Prishtinës ka të ardhme të mirë.

Shumë prej dekanëve, dikur ministra e zyrtarë të lartë

Njohësit e çështjeve të universitetit mendojnë se është problem që universiteti më i vjetër në vend të ecë përpara me përbërjen e re të dekanëve dhe senatorëve. Durim Jasharaj, nga shoqëria civile dhe aktivist disavjeçar për të drejtat e studentëve, mendon se vetë stafi akademik i UP-së nuk do që të ketë ndryshime. “Rizgjedhja e dekanëve dhe e senatorëve në shumicën e fakulteteve tregon më së miri që brenda stafit akademik nuk ekziston potenciali për ndryshim dhe se pikërisht ky staf i rekrutuar mbi merita partiake vazhdon të ketë fjalën e fundit përbrenda UP-së. Shembull ‘par excellence’ për këtë është rasti me Fakultetin Filozofik, ku të zgjedhurit pos tjerash patën qenë fort të angazhuar për rrëzimin e rektorit Zejnullahu, përmes nënshkrimit të peticionit. Shumë prej dekanëve, dikur ministra e zyrtarë të lartë në poste publike, tashmë po e përjetojnë rënien e shkëlqimit të tyre.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)