Dorëzohet LSI, pranon ngritjen e Byrosë së Hetimit

  • 10 February 2016 - 16:01
Dorëzohet LSI, pranon ngritjen e Byrosë së Hetimit

Në vigjilje të vizitës së Xhon Kerrit në Tiranë, përfaqësuesit e LSI-së në qeveri janë dorëzuar dhe kanë pranuar miratimin e ngritjes së Byrosë së Hetimit që tani nuk ka më pengesa drejt formalizimit. Megjithëse paraditen e sotme mediat hapën lajme se ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e kishte kundërshtuar në qeveri draftin, ashtu sikurse kishte bërë edhe më parë, menjëherë pas miratimit të tij, Petrit Vasili ka dalë në publik nga tribuna e LSI-së për të fashitur zërat se forca e tij politika ishte kundër. Pa thënë as po as jo, Vasili ka deklaruar se LSI e mbështet atë si vendim kolegjial.

Tashmë duket se politika shqiptare nën presionin e mbërritjes së sekretarit të shtetit Kerry ka pranuar t'i hapë rrugë ndëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, që do të fillojë me funksionimin e Byrosë Hetimore, e cila do të drejtohet nga SHBA dhe nga prokurorët e seleksionuar prej tyre.

Ky është një ndryshim radikal i qëndrimit të qeverisë. Deri pak ditë më parë Rama, nën presionin e Metës, i cili nuk e donte këtë njësi të kontrolluar nga SHBA, kishte vendosur të priste që ngritjen e Byrosë së Hetimit ta kalonte me gjithë paketën e propozimeve të reformës në Drejtësi, ku përfshihej edhe kjo çështje.

“Për reformën në drejtësi është rakorduar për të pritur vlerësimin nga Venecia. Do të pritet Venecia për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”, u shpreh Arben Ahmetaj në përfundim të takimit të koalicionit në vilën qeveritare 30, njofton lapsi.al.

Ky qëndrim binte ndesh me atë të PD-së, e cila këmbëngulte që për të ngritur Byronë e Hetimit nuk ishte e nevojshme që të pritet “Venecia”, por të miratohet draftligji për të cilin palët (PD dhe Ministria e Brendshme kanë rënë dakord me ndërmjetësim të OPDAT).

Opozita e kishte kuptuar ngërçin e shumicës dhe refuzimin e Metës për ngritjen e Byrosë, prandaj ajo i shtoi kërkesat e saj per miratimin e ligjit. Sot Lulëzim Basha doli dhe pranoi se PD është e gatshme ta votojë projektligjin për të cilin është rënë dakord. Ai parashikon ngritjen e një njësie speciale antikorrupsion, drejtuesi i së cilës propozohet nga ministri i Brendshëmt dhe miratohet nga Prokurori i Përgjithshëm.