Shërbimet kirurgjikale për epilepsi - vetëm jashtë Kosovës

  • 10 February 2016 - 16:09
Shërbimet kirurgjikale për epilepsi - vetëm jashtë Kosovës

Sëmundja e epilepsisë tashmë ka prekur 50 milionë njerëz në tërë botën, derisa vetëm në Evropë janë rreth 8 milionë njerëz të prekur me këtë sëmundje.

Kosova nuk ka statistika të sakta lidhur me atë se sa qytetarë vuajnë nga epilepsia.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2015 janë trajtuar 730 persona me diagnozë të epilepsisë, derisa thuhet se në gjithë Kosovën janë rreth 20 mijë persona me epilepsi.

Valbona Govori, kryetare e Shoqatës kundër Epilepsisë, ka thënë për Rel se një ndër problemet me të cilat hasin, është mungesa e terapisë për epilepsi.

"Ne kemi bërë thirrje në Ministrinë e Shëndetësisë që të futen më shumë lloje të barnave në listë esenciale. Bëhet fjalë për barnat e gjeneratës së re të barnave që nuk janë në listë esenciale. Meqenëse nuk i kemi në dispozicion këto barna ,atëherë ne detyrohemi që t'i shkruajmë barnat tjera alternative për pacientët, gjë që ne kemi kërkuar nga ministria të na sigurojë për shkak se bëhet fjalë për një sëmundje mjaft të rëndë", tha Govori.

Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka shpjeguar lidhur me përpilimin e listës esenciale dhe mundësinë për ta përditësuar atë.

"Gjatë vitit 2015, rreth 1000 pacientë janë mbuluar me terapi. Sa u përket barnave të reja, Ministria e Shëndetësisë ka në përdorim një listë bazuar sipas indikatorëve të Organziatës Botërore të Shëndetësisë, dhe të përditësohet me rekomandimin e profesionistëve shëndetësorë, pasi që ata vendosin se çka u duhet, derisa Ministria është përgjegjëse për një furnizim sa më të mirë", tha Hoti.

Derisa, për Klinikën Neurologjike, Nexhmedin Shala neurolog, ka thënë se pos tjerash kjo klinikë përballet edhe me mungesë të trajtimit kirurgjikal për të sëmurët me epilepsi.

"Në Kosovë nuk bëhet ose bëhet shumë pak në intervenimet kirurgjikale për sëmundjen e epilepsisë. Mungon aparatura e sofistikuar, e që e bën të pamundur një gjë të tillë. Këto shërbime i marrin jashtë vendit qytetarët".

Ndërkaq, Hoti ka thënë se në Ministrinë e Shëndetësisë ka shumë pak ose fare kërkesë nga pacientët për trajtim jashtë vendit, sa i përket operacioneve në tru lidhur me sëmundjen epileptike.

"Kërkesat për trajtim jashtë vendit për sëmundjen epileptike janë sporadike, dhe të vogla. Sa i përket kërkesës për shërbime kirurgjikale për epilepsi numri i pacientëve është i vogël. Në qoftë se do të ketë ndonjë mënyrë të re të trajtimit, do të shihen mundësitë e reja edhe në Kosovë", shtoi Hoti.

Sidoqoftë, edhe mungesa e kapaciteteve hapësinore mbetet sfidë në Klinikën e Neurologjisë.

(Kosova Sot)