Ja pse të rinjtë amerikanë e duan Bernie Sanders-in

  • 12 February 2016 - 20:38
Ja pse të rinjtë amerikanë e duan Bernie Sanders-in

Bernie Sanders tani e ka gjetur veten në epiqendër të lëvizjes politike rinore, më fuqishëm se kushdo tjetër që prej viteve të 1960-a. Në Nju-Hempshajër ai ka fituar 83 për qind të votave të ardhura nga votuesit nën moshën tridhjetëvjeçare. Sipas një sondazhi të fundit, të realizuar nga ‘Reuters’, 74-vjeçari Sanders tani udhëheq ndaj Hillary Clinton-it me plot 35 për qind më shumë sa u përket votave të të rinjve – personat që e kanë fituar të drejtën e votës në shekullin e ri. Çështja është se si ka mundësi që një person i moshuar socialist, nga Vermonti, është bërë kaq i popullarizuar. Fundja, këto nuk janë vitet e 1960-a. Nuk ka luftë që duhet luftuar; Sanders-i nuk është George McGovern. Edhe ekonomia është rimëkëmbur në masë të madhe, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Megjithatë, kur Sanders-i flet për ‘revolucion’, të rinjtë dëgjojnë. Për të rinjtë amerikanë – edhe për ata që kanë diplomuar në kolegj – e ardhmja duket e acartë dhe ëndrra amerikane çdo ditë e më larg dhe ky duket të jetë çelësi i joshjes së Sanders-it. Gjykuar nga rezultatet e sondazheve të fundit, në baza statistikore, papunësia në mesin e të rinjve amerikanë është e lartë; të rinjtë kërkojnë punë të përshtatshme, mirëpo nuk mund të gjejnë një të tillë dhe miliona të diplomuar nga kolegji e gjejnë veten pa punë me orar të plotë sapo të kenë filluar t’i paguajnë huat e marra për studime, duke mos pasur mundësi kështu që të blejnë shtëpi për vete dhe si rrjedhojë mbesin të detyruar që të jetojnë në dhomat e tyre të fëmijërisë, apo në bodrumet e shtëpive të prindërve të tyre. Ata mund të punojnë nëpër restorante, mirëpo kjo gjë nuk përshtatet me pritshmëritë dhe nivelin e tyre të edukimit. Për këtë arsye ata besojnë në Bernie-n dhe ndryshimet për të cilat ai flet.

Premton fundin e pabarazisë

Në kampanjën që është e mbushur përplot me ironi, ndër të cilat edhe fakti që një miliarder nga Nju-Jorku është bërë hero i shtresës së varfër të popullsisë, njerëzit kanë filluar që çdo ditë e më shumë të besojnë në Sanders-in. Ai çdo ditë iu flet të rinjve amerikanë se si mundësitë e tyre po ngushtohen, duke thënë e dëshmuar që e ardhmja e tyre po vidhet nga pabarazia në të ardhura, me bankat e mëdha dhe miliarderët që ushtrojnë shumë pushtet dhe me 1 përqindëshin e popullsisë që, tani për tani, ‘sundon’ mbi shumicën e amerikanëve,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Përderisa votuesit më të vjetër në moshë, veçanërisht në radhët e Partisë Republikane, shqetësohen më së shumti për sigurinë dhe terrorizmin, votuesit më të rinj në moshë (që kryesisht janë demokratë ose të pavarur) thonë që shqetësimi i tyre kryesor është ekonomia dhe vendet e punës. Hulumtimet e fundit nga ‘USA Today’ dhe Instituti i Politikave në Harvard kanë treguar që gjysma e të rinjve mendojnë që ‘ëndrra amerikane ka vdekur’ (ndonëse kjo i bie që gjysma mendojnë që ‘ëndrra amerikane është gjallë’). Shqetësimi kryesor i tyre është kujdesi shëndetësor, huat studentore, pabarazia ekonomike, ndryshimet mjedisore dhe ato klimatike, çështjet sociale siç janë martesat e homoseksualëve dhe aborti.

Shuarja e ëndrrës amerikane

Pikërisht për këto gjëra flet Sanders-i, më fuqishëm dhe më thjesht se të gjithë kandidatët e tjerë. Donald Trump mund të tërheqë njerëz bazuar në frikën e përgjithshme nga rënia dhe dobësimi i Amerikës, mirëpo Sanders-i flet drejtpërsëdrejti për ndjenjën e përhapur të frikës për shuarjen e ëndrrës amerikane.

Në shikim të parë, ky mund të mos duket problem për të rinjtë, pasi në këtë ekonomi të shërbimeve dhe teknologjisë, të diplomuarit nga kolegji po ia dalin shumë mirë, me një shkallë të ultë të papunësisë (nën 4 për qind në nivel kombëtar) dhe me të ardhura më të larta. Të rinjtë zakonisht kanë shkallë më të lartë të diplomimit nga kolegji, andaj edhe mund të konsiderohen si fitimtarë në botën e sotme. Mirëpo, problemi është që ata nuk janë fitimtarë të menjëhershëm si dhe nuk e kanë të garantuar këtë status. Ndonëse papunësia për të diplomuarit nga kolegji është shumë e ultë, për personat të cilët kanë diplomuar së fundmi është shumë e lartë. Sipas të dhënave statistikore, papunësia në mesin e 22-vjeçarëve të diplomuar është mbi 12 për qind dhe nuk bie nën 4 për qind derisa ky grup ta mbërrijë moshën tridhjetëvjeçare,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Nuk duan të jetojnë nën një kulm me prindërit

E, si pasojë e rritjes së ngadaltë pas Recesionit të Madh, këta numra janë më të lartë sesa që kanë qenë në të kaluarën, gjë që më pas çon në dy probleme të tjera: huat e studentëve dhe blerja e shtëpive.

Andaj, niveli i kthimit të të rinjve në shtëpitë e prindërve të tyre pas përfundimit të studimeve është më i larti që prej kohës së Luftës së Dytë Botërore, ku familjet kanë qenë më të mëdha dhe kanë jetuar nën një kulm. Ndonëse në shumë vende të botës jetesa me prindër është një lloj tradite, kjo nuk është ëndërr e një amerikani të ri. Pra, problemi kyç qëndron te rinia andaj kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë po përqafojnë politikat e tij.

(Kosova Sot)