Krasniqi: Kadri Veseli ose ta ruaj Kuvendin, ose të largohet nga aty

  • 13 February 2016 - 12:06
Krasniqi: Kadri Veseli ose ta ruaj Kuvendin, ose të largohet nga aty

Koalicioni LDK-PDK nuk ka sjellë ndryshim dhe as shpresë për vendin. Gazi lotsjellës i përdorur në Kuvend nuk është imazh i mirë por opozita është detyruar t’i përgjigjet në këtë mënyrë, arrogancës së koalicionit qeverisës. Ndërsa, lideri i PDK-së Hashim Thaçi nuk është kandidat i denjë për president të vendit, pasi që ka shkelur Kushtetutën dhe se kandidati për president duhet të jetë i pranueshëm dhe të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës, gjë e cila i mungon Thaçit.

Kështu ka pohuar në një intervistë për KP, Jakup Krasniqi, i cili ka folur për zhvillimet e fundit në vend.Ai ka thënë se po të ishte kryetar Kuvendi, nuk do ta lejonte që Kuvendi të bëhej arenë lufte.

“Është krijuar një koalicion i madh, i cili gjatë gjithë kësaj kohe, për një vit e më tepër, nuk ka sjellë asnjë ndryshim, asnjë shpresë por përkundrazi bashkë me krijimin e këtij koalicioni të madh, kishim ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve të Kosovës nga Kosova dhe tani ky koalicion i madh ka bërë dhe shkeljen kushtetuese.  Marrëveshjet që i kanë arritur me 25 gusht të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ashtu siç është ka konstatuar se ka 23 shkelje...Mendoj se marrëveshjet janë tepër të dëmshme dhe mendoj se ky koalicion qeverisës e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin dhe e vetmja zgjidhje në këto momente janë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Krasniqi po ashtu ka komentuar edhe format e përdorura nga opozita, për të penguar punën e Kuvendit, duke i arsyetuar ato. Ai thotë se gazi lotsjellës nuk ka dhënë një imazh të mirë për vendin, por opozita është detyruar ta përdorë atë, përball arrogancës së koalicionit.

Ai thotë se Hashim Thaçi nuk është kandidat i denjë për president, pasi që ka shkelur Kushtetutën.
“Nëse kemi parasysh që presidenti shkon nga posti kur e shkel Kushtetutën, marrëveshjet e Brukselit që një përgjegjësi të madhe, ndoshta kryesoren e mban ish-kryeministri Thaçi, konsideroj që vetëm kjo është e mjaftueshme që ai s’mund të jetë president i Kosovës, e më së paku ai është personalitet siç e kërkon Kushtetuta sepse ai duhet të jetë i pranueshëm dhe përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës. Do të thotë këtë rol ai e ka vështirë ta ketë si president i Kosovës edhe për shkak të shkeljes së Kushtetutës që i ka bërë për shkak të shkeljes së marrëveshjeve të Brukselit”, tha ai.

Krasniqi shtoi se Kuvendi nuk do të duhej të vie në këtë situatë duke u shndërruar në një arenë lufte. Sipas Krasniqit, zgjidhjet politike nuk duhet të bëhen në Kuvend por jashtë tij. Krasniqi i cili vite më parë mbante postin e kryetarit të Kuvendit, thotë se kurrë nuk do të lejonte që Kuvendi të vie në një situatë të tillë, çfarë është tani.

(Kosova Sot)