"Pos lotëve, s'kam çka t'u ofrojë fëmijëve"

  • 28 April 2016 - 20:57

Familja e Luljetës jeton me frikë se shtëpia do t'i zërë të gjallë

Nëna e dy fëmijëve, Fatjones 12 vjeçe dhe Ismailit 11 vjeç, Luljeta Bajraktari përpiqet të mbijetojë duke mbledhur kënaçe, por nuk fiton më shumë se 50 euro në muaj. Anëtarët e kësaj familjeje jetojnë me frikën e madhe se mund t'u rrënohet shtëpia dhe t'i zërë të gjallë që të gjithë
Luljeta Bajraktari, nënë e dy fëmijëve, jeton me plot ankth dhe frikën e madhe se mund të rrënohet ajo shtëpi ku këta banojnë dhe t'i zërë të gjallë ata. Dëshira e vetme e tyre është të kenë një strehë banimi Por, nuk kanë ku tjetër të jetojnë, andaj kanë telashe me banimin. E vizituam familjen e Luljeta Bajraktarit që ndodhet në varfëri ekstreme dhe bën jetën në një shtëpi që nga dita në ditë pritet të rrënohet. Ajo e di se edhe nga ky objekt mjaft i shkatërruar duhet të largohet një ditë, raporotn Gazeta Kosova Sot

Ajo qan për faktin se fëmijët do të detyrohen të dalin në rrugë bashkë me atë. Luljeta Bajraktari është nëna e Fatjones 12 vjeç dhe Ismailit 11 vjeç. Ajo shprehet se dje në mëngjes ka marrë ankesat e fëmijëve që s'kanë as çka veshin e as çka mbathin, e bile ankohen edhe se nuk kanë çka të hanë, që është më e keqja. Luljeta tregon se tashmë fëmijët janë në klasën e gjashtë dhe kërkojnë sadopak kushte, kurse ajo detyrohet të mbledhë kënaçe për të përfituar diku 50 euro në muaj. "Bëjmë jetë të vështirë, ngase duhet mbledhur jo më pak se 100 kënaçe të zbrazura për të fituar vetëm 50 centë", shprehet ajo. Me lot në sy tregon se bashkëshorti është ndarë nga ajo dhe e ka lënë vetëm me këta dy fëmijë, me djalin dhe vajzën. "Tash kemi marrë edhe vendimin nga pronarët e këtyre shtëpive që në këtë pranverë do të na largojnë nga këtu. Ose edhe po nuk na larguan, ne këtu do të vdesim, sepse nuk di si qëndroi kjo shtëpi pa u rrënuar deri më tani. Kjo shtëpi nuk ka as banjë dhe dimër e verë fëmijët i laj në nevojtore, që është larg shtëpisë, në gjendje shumë të keqe", shprehet Luljeta. "Jeta jonë është si ta mbushim barkun me bukë e çaj" Luljeta tregon se këtë jetë që bën nuk beson se e bën edhe dikush tjetër. "Ju kemi përgjëruar këngëtarit Labinot Tahiri të na ndërtojë një shtëpi sadopak të vogël. Unë mbledh kënaçe, sepse tjetër punë nuk kam mundur të gjej. Nuk jetohet gjithmonë nga mbledhja e kënaçeve. Nuk më japin asnjë ndihme sociale, askush për mua nuk interesohet. Më thonë gjej punë, por punë nuk ka", tregon Luljeta. Ajo tutje shton: "Ku mund të punoj, o Zot, që të marr një pagë së paku 150 euro në muaj. Askush nuk më pranon në punë. Askush nuk kujdeset për mua, e as për fëmijët e mi. Vjehrra ime punon një- soj si unë, merret me mbledhje kënaçesh. Kjo nuk është jetë kështu. S'kemi ku shkojmë. Por, dua të rritën këta fëmijë dhe dashtë Zoti e të gjejnë ndonjë punë për të mbijetuar. Unë, pos lotëve, shpesh s'kam çka t'u ofrojë këtyre vocërrakëve", shprehet ajo.

Luljeta tregon se edhe fëmijët po e kuptojnë skamjen dhe nuk bëjnë shumë probleme. "Ata e dinë se cilat kushte i kemi. E tërë jeta jonë është si ta mbushim barkun me bukë e çaj. Shyqyr Zotit që buka e sheqeri janë pak më lirë, se sigurisht ne do të kishim vdekur deri më tash. Po e shihni se nuk arrij të dy fëmijë t'i mbaj si duhet. Fëmijët e mi festave nuk shkojnë në shkollë, ngase këta nuk kanë çka të mbathin e çka të veshin, andaj edhe nuk shkojnë fare, se tash janë rritur pak dhe nuk duan të skuqen para shokëve të klasës", tregon Luljeta. Shëndeti i dobët i Luljetës e i fëmijëve Kjo grua me vjehrrën dhe këta fëmijë jetojnë me shpresë se nesër dikush do t'ua shtrijë dorën e ndihmës për të pasur në jetë më të dinjiteshme. Së paku ëndrra e këtyre është që të kenë një shtëpi e ku pastaj të bëjnë një jetë pak më të mirë. Fëmijët nuk deshën të flasin, e as të bëjnë foto, sepse thanë se në shkollë shpesh i përqeshin dhe ndihen keq, por e shohin se nëna e tyre bën sakrificë të madhe për t'i mbajtur gjallë me bukë. Luljeta lut përmes gazetës të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë në mënyrë që të bëjnë një jetë pak më normale. Të gjithë ata që mund ta ndihmojnë Luljetën dhe fëmijët mund të thërrasin në telefonin mobil 045- 504- 587. Ajo thotë se kurrë në jetën e saj s'ka pasur e as nuk ka numër të xhirollogarisë. Familja mbijeton në rrugën "Marin Barleti" në Prizren, që i ngjan një jete si të kohës së mesjetës. Flet edhe për shëndetin e dobët të sajë dhe të fëmijëve. Shpreson se dikush do ta shtrijë dorën humane që këta fëmijë të kenë mundësi të jetojnë pak më mirë.

(Kosova Sot)