Krasniqi ka një përgjigje për Hashim Thaçin!

  • 29 April 2016 - 15:29
Krasniqi ka një përgjigje për Hashim Thaçin!

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka reaguar ndaj deklaratës së Hashim Thaçi, i cili kishte thënë se zgjedhje nuk do të ketë deri më 2018. Krasniqi ka theksuar për Gazetën Blic, se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë në të cilën është futur vendi, janë zgjedhjet e reja.

“Çdo vazhdim i këtij pushteti është autoritar, jodemokratik dhe pa legjitimitet qytetar. Këtë e ka dëshmuar kundërshtimi masiv i 7 muajve të fundit si dhe e ka vulosur konfirmimi që Thaçi e Mustafa e kanë shkelur kushtetutën”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Blic.

Sipas tij, nuk do të ketë normalizim të situatës pa dorëheqjen e kësaj qeverie.

“Në Kosovë nuk mund të ketë zgjidhje të krizës dhe normalizim të situatës pa u dorëhequr kjo qeveri dhe pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Qeveria që shkelë Kushtetutën dhe që dëmton sovranitetin dhe ekonominë e vendit, duhet të ndëshkohet”, ka theksuar ai.

Presidenti i ri i vendit, Hashim Thaçi pas një takimi me kryesuesen e KQZ-së, Valdete Daka ka bërë të ditur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

(Kosova Sot)