Familjeve u ndalet asistenca, mbesin në mëshirë të fatit

  • 29 April 2016 - 15:54
Familjeve u ndalet asistenca, mbesin në mëshirë të fatit

"Deti duke shterur e njerëzit duke u mbytur"!
Me rritjen e fëmijëve rriten edhe kërkesat e tyre financiare, por Ligji për Ndihma Sociale këtë nuk e ka parasysh, pasi familjet shfrytëzuese të asistencës sociale largohen nga këto skema në momentin kur fëmija më i vogël ua mbush 5 vjeç (!) dhe kjo, atyre, u shkakton shumë probleme, raporotn Gazeta Kosova Sot
P roblemi i papunësisë enorme nuk është problem vetëm në komunën e Gjakovës, por është në tërë Kosovën, mirëpo, mbase duke u nisur nga thënia se secilit halli i vet i duket më i rëndi, gjakovarët shprehen se e kanë më së vështiri për të gjetur një vend pune! Ky problem ka filluar të paraqitet në komunën e Gjakovës qysh para 25 vjetësh dhe ai, nga viti në vit, vetëm sa vjen e ashpërsohet, madje duke mos dhënë shenja shprese se në të ardhmen e afërt mund të bëhet ndonjë kthesë e theksuar pozitive.

Në një gjendje të tillë të papunësisë së madhe, është plotësisht e kuptueshme që numri i familjeve të varfra sa vjen e rritet. Se është kështu e pohojnë edhe zyrtarët e Organizatës së Kryqit të Kuq, por edhe ata të Qendrës për Punë Sociale, institucione këto që të parat ballafaqohen me familjet skamnore që kanë nevojë për mbështetje financiare. Shtohen kërkesat për asistencë "Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, te ne kanë arritur 106 kërkesa të reja për asistencë sociale, 51 prej të cilave për kategorinë e parë e të tjerat për kategorinë e dytë. Komisioni përkatës që vepron në kuadër të qendrës sonë, pasi i ka shqyrtuar dhe analizuar këto kërkesa, 93 prej tyre i ka aprovuar, ndërsa të tjerat i ka refuzuar", ka thënë Gjon Luli, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, duke shtuar se pos këtyre kërkesave të reja për asistencë sociale, gjatë këtyre tre muajve, në këtë qendër kanë arritur edhe 481 kërkesa për vazhdimin e ndihmave sociale. "Ndërkohë, për shkak të ndryshimit të gjendjes faktike në familjet që shfrytëzojnë asistencat sociale, e në përputhje me dispozitat ligjore, 30 familje janë larguar nga këto skema, dhe kjo, kuptohet, ka nxitur mjaft reagime, që ka qenë e pritur, sepse edhe ndihmat që i marrin në shumë raste nuk ua plotësojnë as nevojat minimale këtyre familjeve skamnore, e lëre më kur ngelin pa ato fare", ka thënë Luli.

Zaten, aktualisht, në komunën e Gjakovës, asistencën sociale e shfrytëzojnë rreth 4.500 veta, për të cilët, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, ndan nga rreth 97 mijë euro në muaj. Ndryshimi i dispozitave ligjore më se i nevojshëm Largimi nga skemat e ndihmave sociale paraqet një problem shumë të madh për shumë familje skamnore. "Deri në vitin e ri kam marrë ndihma sociale, por pas vitit të ri jam befasuar kur më kanë thënë se më kanë hequr nga kjo skemë. Ma shpjeguan se kështu e parasheh ligji, pasi fëmija im i vogël i ka mbushur 5 vjeç! Çfarë ligji na qenka ky, kur ndihmat t'i ndalin atëherë kur të nevojitën më së shumti, sepse me rritjen e fëmijë edhe kërkesat e tij janë rritur. Tash kam ngelur pa kurrfarë mbështetjeje, pasi kurrsesi nuk po arrij të gjej punë", ankohej këto ditë Adem Ceni. Ankesa të kësaj natyre ka shumë dhe me to më së shpeshti përballën zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, gjë që e pranon edhe drejtori Luli, madje duke këmbëngulur se sa i përket kësaj çështjeje do të ishte mirë që ligji të ndryshohet. "Dua të them se ndryshimet që më parë janë bërë në këtë ligj, kanë shkuar në dëm të varfanjakëve. Kur kanë filluar të bëhen këto ndryshime, ne si institucion, por edhe shumë institucione të tjera, kemi bërë kërkesë që të rishqyrtohet ndryshimi i këtyre dispozitave ligjore, sepse me këto ndryshime po diskriminohet pjesa dërmuese e fëmijëve, respektivisht e prindërve të tyre. Me rritjen e fëmijës shtohen edhe kërkesat e tij, ndërsa sipas këtyre dispozitave ligjore, ato familje largohen plotësisht nga skemat sociale. Sipas mendimit tonë, kjo dispozitë duhet të ndryshohet, sepse kujtojmë se është diskriminuese pasi e pamundëson përmbushjen e nevojave minimale të fëmijëve në periudhën më delikate, atëherë kur fillon të përgatitët për të shkuar në shkollë", ka thënë Gjon Luli, duke shpresuar se në këtë drejtim mund të bëhet dhe do të bëhet diçka pozitive. 

(Kosova SOT)