Projekti për stadiumin, Basha: Një teatër-bunker me regji të Ramës

  • 29 April 2016 - 18:11
Projekti për stadiumin, Basha: Një teatër-bunker me regji të Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj incidentit më shoqërinë civile dhe gazetarët, të cilët nuk u lejuan të hynin në sallën ku do të bëhej prezantimi i projektit të stadiumit.

Basha thotë se, “është një akt i rëndë, i paprecedentë dhe i papranueshëm, ndalimi me forcë i gazetarëve të njohur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të marrë pjesë në një aktivitet, që sipas emërtesës duhej të ishte dëgjesë publike për projektin e stadiumit”.

“Rojet e Edi Ramës, janë urdhëruar të mos lejojnë futjen në këtë “dëgjesë”, të Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Ylli Rakipit dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kanë kundërshtuar projektin për stadiumin. Sjellje tipike e një qeverie-bandë me një bandit-kryeministër. Një qeverie, që merr vendime për interesat e saj, të cilës i bie maska e dëgjesës publike në rastin më të parë.  Nuk ishte pra një aktivitet i hapur siç e propaganduan, por një teatër-bunker me regji ku flet Rama, jep mendime Rama, vendos Rama, firmos Rama, dhe të tjerët që janë administratë, oligarkë, e klientë dëgjojnë e duartrokasin”, u shpreh Basha.

(Kosova Sot)