Mogherini: Kosova është Evropë, dialogu të vazhdojë

  • 05 May 2016 - 15:14
Mogherini: Kosova është Evropë, dialogu të vazhdojë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, në konferencën për media me kryeministrin Isa Mustafa, ka thënë se është shumë e lumtur që qëndron sot në Kosovë, për të festuar për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se këtë rezultat Kosova e ka arritur falë punës, duke shtuar se ky vendim do të ketë impakt pozitiv në jetën e përditshme dhe politike, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Keni bërë një hap të rëndësishëm përpara, kjo do të ketë impakt pozitiv në jetën e përditshme dhe në sferën politike, kjo do të thotë se Kosova është Evropë”, ka thënë mes tjerash Mogherini.

“Po i thoja kryeministrit se jam shumë e lumtur që po festojmë së bashku edhe anëtarësimin në UEFA”, ka thënë Mogherini.

Duke folur për sfidat, ajo ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara duhet të implementohen, pasi sipas saj dialogu është shumë i rëndësishmëm për Kosovën dhe rajonin.

 “Brenda disa ditëve do të festojmë ditën e Evropës dhe nuk ka mënyrë më të mirë për mua që këtë ta bëjë së bashku me këtë vend. Këtu ne sot festojmë lirin e lëvizjes dhe ndërtimin e murit me tela me gjemba sepse kjo nuk është Evropa”, u shpreh Mogherini.

(Kosova Sot)