Ekzistimi në Kosovë i forcave antikushtetuese

Ekzistimi në Kosovë i forcave antikushtetuese
  • 31 December 2015 - 07:43

Shkruan: Daniel Serwer

Shkrim ekskluziv për “Kosova Sot” i analistit Daniel Serwer

Nuk mund të them se viti 2015 ishte vit i mirë për Kosovën

 

Mund të shpresoj se, si serbët antikushtetues, po ashtu edhe shqiptarët antikushtetues, do të bëhen të arsyeshëm dhe do të kuptojnë se një Kosovë stabile, përparimtare dhe demokratike është edhe në interesin e tyre

 

Sot mora lajmin e mirëpritur që Kosova është vlerësuar e përshtatshme për “Millennium Challenge Corporation”, një agjenci qeveritare të SHBA-së, e cila përqendrohet te mbështetja e reformave të politikës ekonomike dhe qeverisja e mirë. Kjo dhe nënshkrimi me BE-në i MSA-së, që ofrojnë benefite substanciale për vendet që nuk janë anëtare të BE-së, janë dy gur-themele të rëndësishme për një vend, i cili ka përjetuar një luftë të ashpër. Qeveria e Kosovës është e rrethuar (bllokuar) në Parlament, ku opozita e saj disa herë ka sulmuar me gaz lotsjellës, gjoja për të protestuar kundër dy marrëveshjeve ndërkombëtare: njërën me Malin e Zi, rreth Demarkacionit të kufirit me Kosovën dhe, tjetrën me Serbinë, rreth krijimit të Asociacionit të komunave serbe. Motivet e vërteta janë më të thella: Qeveria aktuale e Kosovës u krijua pasi që një parti qeverisëse me numrin më të madh të ulëseve theu një koalicion, i cili përfshinte rivalët e tij kryesorë, duke dorëzuar postin e kryeministrit dhe postet e tjera kyçe. Opozita aktuale e gjymtë, e cila mendonte se kishte përparësinë e pakundërshtueshme për formimin e një koalicioni qeverisës  ngeli me gishta në gojë.

 

 

Bllokimi në organizatat ndërkombëtare


Edhe më i thellë është ekzistimi në Kosovë i forcave antikushtetuese politike: në anën shqiptare ‘Vetëvendosje’, e cila insiston për të drejtën për referendum për t’u bashkuar me Shqipërinë, gjë që përjashtohet si mundësi nga Kushtetuta. Në anën serbe, pjesa më e madhe e politikanëve, të cilët mohojnë Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse disa prej tyre janë të gatshëm që të marrin pjesë në qeverisjen e saj dhe pranojnë ligjet e saj. Nuk është lehtë për një shtet, që të akomodojë forca politike, të cilat mohojnë të drejtën e tij për të ekzistuar, apo që insistojnë në të drejtën e tyre për t’i dhënë fund ekzistimit të tij.
Po ashtu, jeta nuk është e lehtë kur fqinji juaj më i afërt dhe më i largët mbështesin ata që mohojnë të drejtën tuaj për të ekzistuar dhe bllokojnë qasjen tuaj në organizatat ndërkombëtare.

 

 

Efekti pervers

Serbia, e cila ka pranuar vlefshmërinë e kushtetutës së Kosovës dhe sistemit të saj ligjor në tërë territorin e saj, në bisedimet në Bruksel, të sponsorizuara nga BE-ja, përkundër kësaj, refuzon që ta lejojë anëtarësimin e Kosovës qoftë edhe në UNESCO. Kjo ka pasur efektin pervers të inkurajimit të një nacionalizmi më virulent shqiptar dhe të ekstremizmit islamik, ku që të dyja paraqesin një rrezik për serbët dhe kulturën serbe dhe qendrat fetare në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për vendimin tash vonë të BE-së që të mos lejojë lëvizjen e kosovarëve pa viza.
Prandaj, nuk mund të them se viti 2015 ishte vit i mirë për Kosovën, përkundër të arriturave të saj me rëndësi të madhe me Uashingtonin dhe Brukselin. Megjithatë, mund të shpresoj se, si serbët antikushtetues, po ashtu edhe shqiptarët antikushtetues, do të bëhen të arsyeshëm dhe do të kuptojnë se një Kosovë stabile, përparimtare dhe demokratike është edhe në interesin e tyre. Këtë pa dyshim e dëshirojnë amerikanët e preokupuar për Kosovën, për vitin 2016.

(Kosova Sot)