Në vend të fëmijëve, kjo grua lindte lepuj

  • 26 November 2015 - 18:51
Në vend të fëmijëve, kjo grua lindte lepuj

Në fakt, britanikja Mary Toft, në vitin 1726 kishte ngelur shtatzënë dhe, në vend të fëmijës, kishte lindur një lepur. Rasti i saj i çuditshëm me të shpejtë mori dhenë.
"Nga Godalmingu na vjen një lajm i çuditshëm dhe i pabesueshëm. Një banore e pafat e kësaj qyteze, muajin e kaluar lindi një lepur. Lindjen e saj e ndihmoi John Howard, një mjek me renome, me ndihmën e dados, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Krijesa e çuditshme

Gruaja në botë solli një krijesë të ngjashme me lepurin, por zemra dhe mushkëritë e tij gjendeshin jashtë trupit. E njëjta grua lindi një lepur tjetër edhe 14 ditë më vonë, e disa ditë më vonë lindi edhe katër lepuj të tjerë! E njëjta gjë ndodhi edhe të premten, të shtunën, të dielën – çdo ditë nga një lepur. Por, të gjithë ata ngordhën menjëherë pas lindjes", njoftonte një gazetë lokale më 19 nëntor të vitit 1726.

Mary asokohe kishte 25 vjet. Ishte një shërbëtore analfabete, e martuar me një shegert rrobaqepës, me të cilin tanimë kishte tre fëmijë. Gjatë shtatzënësisë së fundit i ishte dashur që të punonte  punë të rënda fizike, për shkak të gjendjes së vështirë materiale, për çka edhe kishte abortuar. Kur kishte abortuar, ajo ishte në një arë dhe kishte thënë ta kishte parë një lepur, pamja e të cilit e kishte shqetësuar pa masë. Në fillim të gushtit, ajo thoshte se kishte abortuar disa inde, për të cilët thoshte se ishin sa dora e saj.

Një seri lindjesh bizare

“Lindja” e saj pasoi më 27 shtator, kur nga ajo dolën disa pjesë të kafshëve. Gjatë kësaj lindjeje asaj i kishte ndihmuar fqinja, e cila, e befasuar nga ajo që kishte parë, këtë lajm ia kishte kumtuar së pari nënës së Mary-s, Ana Toft, e cila ishte mami, dhe e cila më pas këtë lajm ia kishte dhënë kirurgut të njohur, John Howard. Ky i fundit e kishte cilësuar këtë lajm si një marrëzi të llojit të vet. Por, pas lutjeve të shumta, kishte pranuar që ta vizitonte Mary-n, me ç’rast nuk kishte gjetur asgjë të çuditshme. Por, gjatë ditëve në vijim, Mary përjetoi edhe disa lindje të tjera, ku vetë kirurgu Howard konstatoi se ajo në këtë botë solli tri shputa macesh, një shputë lepuri, mitrën e një maceje, ku në atë mitër ishte gjetur një ngjalë. Gjatë ditëve në vijim, ajo solli në “jetë” edhe disa pjesë të tjera të lepujve.

Mashtrim, apo...

Dhe, kështu, mjek pas mjeku, fjalë pas fjale, ngjarja kishte rënë edhe në veshin e Mbretit George I (1660–1727), i cili u interesua aq shumë, saqë dërgoi mjekët e vetë personalë për ta vërtetuar këtë rast. Në fund, pas presioneve të shumta, Mary u detyrua që të pranonte se, gjoja, kishte mashtruar me qëllim. Por, sot shumë ithtarë të UFO-ve dhe alienëve, thonë se ajo, në fakt, ishte përdorur nga alienët si fabrikë e indeve, të cilat atyre iu duheshin për ndonjë eksperiment. A thua, cila është e vërteta këtu?

(Kosova Sot)