Gjenerata e artë e Belgjikës

  • 25 May 2016 - 10:10
Gjenerata e artë e Belgjikës

Prezantimi i Kombëtareve për “Euro 2016” - Belgjika

Belgjika ka rastin e artë që në Francë të fitojë titullin e kampionit evropian. Belgët kanë një ekip shumë të mirë me futbollistë, si: Hazard, Vermalen, Fellaini, Nainggolan, Mertens, Lukaku dhe De Bruyne. Me të drejtë Belgjika konsiderohet si favorite nga plani i dytë dhe mund të jetë befasia më e këndshme e këtij Evropiani. “Kosova Sot” ju sjell statistikat, rekordet e historinë e Përfaqësueses belge  

Në vendin e dytë në renditjen e FIFA-s

Belgjika është njëra nga ekipet që mund të befasojë në Evropianin që zhvillohet gjatë verës në Francë. Në këtë Evropian favoritë kryesorë janë Spanja, Gjermania dhe Franca, por belgët mund të befasojnë për të mirë dhe me ekipin që kanë synojnë titullin. Belgjika ka një gjeneratë të talentuar me lojtarë që luajnë në top-klubet e Evropës dhe nga plani i dytë mund të befasojë. Në kualifikime nuk e kishin lehtë, megjithatë treguan se janë shumë të papërshtatshëm dhe loja e tyre i ka impresionuar të gjithë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Dy gjenerata të suksesshme

Ndeshjen e parë Belgjika e luajti në vitin 1904 dhe kjo dëshmon se ka traditë në futbollin evropian. Belgët marrin pjesë rregullisht në garat e UEFA-s dhe FIFA-s. Si shumë Përfaqësuese të tjera, edhe Belgjika ka pasur batica dhe zbatica. Periudha më e ndritur ka qenë në vitet 1920 deri më 1938 dhe nga 1970 deri më 2002. Belgjika ka marrë pjesë 12 herë në Kampionate Botërore dhe pesë herë në Evropiane, si dhe tri herë në Lojërat Olimpike, duke përfshirë këtu edhe vitin 1920, kur fituan. Rivali më i madh i tyre është Holanda, kurse belgët kanë nofkën “Djajtë e Kuq”. Gjatë kohës së luante sulmuesi Paul Van Himst, futbollisti më i mirë belg i shekullit 20, Belgjika u rendit e treta në Evropian, më 1972. Më pas Belgjika kishte dy gjenerata të arta. Në vitin 1980 kur përfunduan në vendin e dytë në Kampionatin Evropian e më pas gjashtë vjet më vonë ishin të katërtit në botë, suksesi më i madh i tyre. Gjeneratë e artë konsiderohet edhe periudha nga viti 2010 dhe në nëntor të vitit 2015, Belgjika për herë të parë ishte e para në botë në renditjen e FIFA-s. Momentalisht janë në vendin e dytë pas Argjentinës. Futbollisti me më së shumti paraqitje është Jan Ceulemans me 96 ndeshje, derisa shënuesit më të mirë janë Bernard Voorhoof dhe Paul Van Himst me nga 30 gola. Kapiten është Vincent Kompany, por ai do të mungojë në Francë për shkak të lëndimit, derisa zëvendëskapiten është Eden Hazard. Trajner i skuadrës është Marc Wilmots.

 

Image

 

Nuk arritën ta mundin Uellsin

Edhe rruga e belgëve si e shumë Kombëtareve favorite nuk ishte e lehtë. Belgjika ndodhej në Grupin B, së bashku me Uellsin, Bosnjë e Hercegovinën, Izraelin, Qipron dhe Andorrën. Gjatë kampanjës kualifikuese belgët grumbulluan 23 pikë, duke u renditur në vendin e parë, derisa pas lanë Uellsin me 21 dhe Bosnjën me 17. “Djajtë e Kuq” kishin shtatë fitore dy barazime dhe një humbje, duke shënuar 24 gola dhe pësuar pesë. Humbjen e vetme e pësuan nga Uellsi si mysafir 1:0, derisa në shtëpi barazuan me këtë Përfaqësuese pa gola, duke mos arritur t’i mposhtin në kualifikime. Megjithatë, Belgjika shfaqi lojëra shumë të mira, duke qenë njëra nga favoritet për këtë Evropian. Por, edhe në fazën e grupeve nuk do të kenë shumë lehtë, megjithatë ata pritet që së paku të depërtojnë deri në çerekfinale. Në Grupin E, Belgjika do të përballet me Italinë, Irlandën dhe Suedinë. Belgjika në këtë Evropian do të ketë në radhët e saj edhe dy vëllezërit, Jordan dhe Romelu Lukaku, derisa në listën e gjerë është edhe Thorgan Hazard, vëllai i Eden Hazard-it. Nëse ftohet edhe Thorgan Hazard, atëherë Belgjika do të hyjë në histori me dy vëllezër në Evropian.

Rezultatet në kualifikueset për Evropian

Belgjika - Andorra 6:0

Bosnja - Belgjika 1:1

Belgjika - Uellsi 0:0

Belgjika - Qipro 5:0

Izraeli - Belgjika 0:1

Uellsi - Belgjika 1:0

Belgjika - Bosnja 3:1

Qipro - Belgjika 0:1

Andorra - Belgjika 1:4

Belgjika - Izraeli 3:1

Orari i Grupit E

13 qershor: Belgjika - Italia

18 qershor: Belgjika - Irlanda

22 qershor: Suedia - Belgjika

(Kosova Sot)