Hamilton: Rosberg veproi si xhentëlmen

  • 31 May 2016 - 11:21
 Hamilton: Rosberg veproi si xhentëlmen

Britaniku arriti deri te fitorja e parë në këtë edicion të Formula 1

 "Unë e dija se jam më i shpejtë se ai, si dhe e kam kuptuar se ai ka probleme me makinë. E kam ditur se asnjëri prej nesh nuk do të fitonte po qe se unë do të qëndroja pas tij. E falënderoj për gjestin e xhentëlmenit", është shprehur Lewis Hamilton

Gara e radhës më 12 qershor për Çmimin e Madh të Kanadasë

Ngasësi i Mercedes-it, Lewis Hamilton e ka falënderuar kolegun e skuadrës, Nico Rosberg për gjestin e xhentëlmenit në Çmimin e Madh të Monakos. Gjermani ka hasur në disa probleme në shtegun e Montekarlos, andaj me sugjerimin e skuadrës ai e ka lënë britanikun ta tejkaloj në xhiron e 18-të, ku më pas Hamilton edhe ka arritur deri te fitorja e parë në vitin 2016.

"Unë e dija se jam më i shpejtë se ai, si dhe e kam kuptuar se ai ka probleme me makinë. E kam ditur se asnjëri prej nesh nuk do të fitonte po qe se unë do të qëndroja pas tij. E falënderoj për gjestin e xhentëlmenit", është shprehur Hamilton, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Rosberg: Ishte vendim i dhimbshëm

 

Te Mercedes-i ekziston një marrëveshje ndërmjet ngasësve se nëse njëri prej tyre ka ritëm të mirë dhe shpejtësinë e duhur, atëherë duhet të jetë ai që do të vazhdoj të luftoj për fitore, ndërsa tjetri duhet ta lejojë atë të bëjë një gjë të tillë. 

"Ishte vendim i dhimbshëm, por vendimi është vendim. Nuk isha në gjendje të luftoja për fitore. Më kanë paralajmëruar për ritëm, andaj ishte e logjikshme dhe tërësisht e kuptueshme që të tërhiqem", ka deklaruar Rosberg. Në këtë mënyrë dy javë pasi që e ka përjashtuar veten dhe Rosberg-un nga gara në Spanjë, Hamilton e ka zvogëluar disavantazhin me kolegun e skuadrës nga 43 në vetëm 24 pikë pas gjashtë garave të zhvilluara në Formula 1.

"Nuk e kam pritur këtë ndryshim të pikëve, por në pesë garat e fundit është bërë e qartë se gjithçka është e mundshme. Jam i vetëdijshëm se unë bëjë gabime, andaj duhet të përmirësohem", ka shtuar Hamilton.

Britaniku ka qenë me fat në Principatë, pasi deri te pozita e parë ka arritur pas gabimeve të mëdha të Red Bull-it me rastin e pit-stopit të liderit të deriatëhershëm të garës, Daniel Ricciardo.

"Ai e ka drejtuar bolidin në mënyrë fenomenale gjatë fundjavës. Ai është një nga ngasësit më të mirë me të cilët kam luftuar deri më tani. Ka qenë shumë afër triumfit, posaçërisht kur gara ka vazhduar pas ndërprerjes. Më pëlqen të luftoj me të. Ai duhet të jetë krenar me mënyrën se si e ka drejtuar makinën gjatë fundjavës", ka theksuar Hamilton.

Gara e radhës në “cirkuitin më të shpejtë në botë” do të zhvillohet më 12 qershor në Montreal për Çmimin e Madh të Kanadasë. 

(Kosova Sot)