Finalja e parakohshme

  • 27 June 2016 - 08:54
Finalja e parakohshme

Dita e hënë dhuron njërën nga ndeshjet me interesante dhe spektakolare deri më tani, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Spanja dhe Italia. Dy Kombëtare shumë të fuqishme dhe me traditë në futbollin evropian, por edhe kanë pasur shumë suksese. Spanjollët kanë triumfuar në dy Evropianët e fundit më 2008 dhe 2012, e pikërisht herën e fundit në finale mundi Italinë 4:0. Italianët edhe pse nuk janë favoritë, gjithmonë janë të rrezikshëm dhe janë të gatshëm për befasi.

Për spanjollët si finale Te Spanja duket se është harruar humbja me Kroacinë dhe të gjithë janë të fokusuar ndaj Italisë. Mbrojtësi Juanfran deklaroi se kjo përballje është si një finale për "La Roja", dhe se të gjithë lojtarët duhet të bëjnë lojën më të mirë për të kaluar. "Për ne ndeshja kundër Italisë është një finale, sepse ne e dimë se humbja të çon në shtëpi, kjo vlen edhe për ata. Ne duam të shfaqim versionin tonë më të mirë më pas do të shohim se cila prej skuadrave do të kualifikohet. Besoj se edhe ekipet e tjera si Franca e Gjermania do t'i kenë të vështira ndeshjet e tyre", tha ai. Mbrojtësi i Atletico Madrid-it pranoi gjithashtu se besimi i tepruar ishte shkaku që Spanja e humbi sfidën me Kroacinë në ndeshjen e fundit të Grupit D, që ishte disfata e parë e kësaj skuadre në Evropiane që nga viti 2004. "Besuam më shumë se ç'duhet te fakti se gjërat po shkonin në rrugën e duhur dhe se bilanci ishte në anën tonë. Ne duhet të korrigjojmë këtë problem ndaj Italisë, jam i sigurt se do t'ia dalim", tha Juanfran. Spanja edhe në të kaluarën ka ditur të kthejë situatën në favor pas një disfate, si në Botërorin 2010 kur humbi ndaj Zvicrës, për të fituar trofeun për herë të parë në historinë e saj. Alvaro Morata do të jetë përballë Buffon-it, Chiellini-t, Barzagli-t dhe Bonucci-t. "Kam folur me disa mbrojtës të tyre. Më kanë thënë se duhet të jem i përgatitur dhe të vendos një kaskë në kokë për t'u mbrojtur. Mbrojtja e Italisë është ajo që e ka çuar Juventus-in drejt sukseseve në vitet e fundit. Buffon është një legjendë, Bonucci është shefi, ndërsa Chiellini ka forcë, derisa Barzagli ka shumë cilësi. Gjithsesi unë kam një ndjenjë pozitive. Jam i lumtur sepse Spanja është aty ky i takon të jetë. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë", theksoi spanjolli. 

 

Rasti i Italisë Nuk ka kohë për të menduar për humbjen me Irlandën. Giorgio Chiellini e konsideron përplasjen me Spanjën një finale të parakohshme, që do të vendoset nga episodet. "Parashikoj një ndeshje të ekuilibruar, ku diferencën do ta bëjnë detajet. Sa keq që përballja vjen që në fazën e 1/8-ave. Do të jetë një sfida e madhe. Spanjollët nga viti 2008, kur dhe nisi epoka e tyre e artë, janë shndërruar në njëfarë mënyrë "Macja jonë e zezë". Përveç finales së "Euro 2012", ku nuk kishim rikuperuar energjitë pas gjysmëfinales me Gjermaninë, të gjitha përplasjet e tjera më ta kanë qenë të ekuilibruara". Duke para çiftet e 1/8-ave, për të kaltrit do të kishte qenë më mirë që të përfundonin të dytët, por mbrojtësi i Juventus-it sheh dhe anën pozitive. "Në këtë Evropian morën pjesë më shumë skuadra e për rrjedhojë pati disa ndryshime. Por le të përqafojnë anën tjetër, atë të spektaklit. Do të jetë shumë emocionuese. Në fillim apo në fund, do të përballesh edhe me më të mirët", u shpreh italiani. Këtë ndeshje e ka analizuar edhe trajneri i njohur italian Carlo Ancelotti. "Rreziku kryesor për italianët do të jetë Alvaro Morata, i cili ka treguar ndër vite, por mbi të gjitha në këtë turne, se di të shënojë gola. Di të jetë cinik dhe vdekjeprurës. Sa më shumë që e shoh në fushë, aq më tepër gjej ngjashmëri mes tij dhe Robert Lewandowski-t. Ka të njëjtat lëvizje në zonë, por edhe Spanja nuk ngurron që ta shërbejë edhe në zona shumë të mbyllura dhe ai sërish është shumë efektiv". Ai ka shtuar se Italia duhet të mbrohet, pasi nuk është turp. "Sfida mes Italisë dhe Spanjës do të jetë shumë e ashpër për të dy ekipet. Spanja, edhe pse ka shumë cilësi brenda saj, nuk është më ajo skuadër e katër viteve më parë, ka më pak fantazi, por ka sërish elemente që mund të bëjnë diferencën në çdo sekondë.

Nëse Italia kërkon t'i befasojë, atëherë duhet të shtrëngohet fort në mbrojtje. Nuk është turp që ta presësh Spanjën, madje, ata duhet të bazohen te mbrojtja e tyre solide. Problemi më i madh i kombëtares nuk është sulmi. Mesfusha është fakti që ata nuk kanë lojtarë në dispozicion që të mund të ndalin dy futbollistë si Andres Iniesta dhe Sergio Busquets. Nga këta të dy kalojnë të gjitha aksionet e Spanjës. Edhe pse Italia vrapon shumë, duhen lojtarë që të kenë ritmin dhe klasin e dy spanjollëve për t'i ruajtur dhe aktualisht nuk shoh asnjë në këtë standard", u shpreh trajneri i Bayern-it. Historike për islandezët Askush nuk do ta kishte besuar që Islanda, një vend me pak më shumë se 300 mijë banorë, do të kalonte fazën e grupeve të Evropianit për t'u përballur në 1/8-at me Anglinë. Fati deshi që këtë emocion ta përjetonte një nga emrat më të mëdhenj të futbollit islandez, Eidur Gudjonsen, i cili sheh një lidhje të ngushte mes futbollit të dy vendeve. "Për ne përballja me Anglinë është e veçantë, sepse futbolli anglez ka pasur një ndikim shumë të madh te ne. Çdo islandez në të gjitha brezat ka qenë tifoz i një skuadre angleze. Prandaj unë shoh një lidhje të ngushte me futbollin anglez. Gjëja më e rëndësishme për në është fakti që kemi kaluar grupin", deklaroi ai. Sulmuesi 37-vjeçar në karrierën e tij ka luajtur me skuadra të ndryshme në Ligën Premiere, ku kulmin e ka pasur me Chelsean në vitet 2000-2006. Islanda është shembulli më i qartë se në futboll e pamundura nuk ekziston. Edhe një skuadër e vogël, por me shumë dëshirë për të spikatur në futbollin elitar, mund t'ia dalë mbanë. "Gjatë dy viteve të fundit çdo ndeshje ndërkombëtare që kemi luajtur e kemi menduar si sfidën më të madhe të historisë së futbollit tonë.

Dhe tani kemi arritur në këtë moment historik. Me Anglinë do të jetë sërish ndeshja më e madhe e historisë së futbollit tonë. Në futboll gjithçka është e mundur. Jemi realistë për mundësitë tona dhe për faktin se mund të jemi nënvlerësuar, por do të bëjmë të pamundurën për të qëndruar në Evropian", përfundoi Gudjonsen. Roy Hodgson dëshiron të qëndrojë në krye të Anglisë edhe pas "Euro 2016". 68-vjeçari ia bëri të qartë Federatës së Futbollit se nëse është e kënaqur me punën e tij është gati të nënshkruajë një kontratë të re. Trajneri veteran beson se mund ta mbyllë në mënyrën më të mirë turneun, edhe pse pas 1/-8-ave përfaqësuesja e "Tre Luanëve" do të duhet të kalojë skuadrat më të forta të kontinentit. "Unë po përgatitem për të qëndruar në krye të Anglisë, sigurisht nëse edhe Federata e Futbollit është dakord për zgjatjen e bashkëpunimit. Në të kundërt kjo eksperiencë për mua mbyllet me përfundimin e Evropianit. Unë besoj që dy vitet e fundit kemi bërë një punë shumë të mirë, skuadra ka treguar se ka potencial. E di që stafi im është i aftë për ta çuar përpara kombëtaren, por vendimi gjithsesi i përket Federatës". Hodgson as që e mendon eliminimin nga Islanda, ndryshe as që do të diskutohej që ai të vazhdonte në krye të Anglisë. "Për të qenë i sinqertë, as që më shkon në mendje që Islanda të na nxjerrë jashtë turneut. Humbja nuk është një opsion për ne. Kemi marrë dy barazime në fazën e grupeve, në dy ndeshje të cilat duhet t'i kishim fituar dhe për këtë jemi kritikuar shumë", përfundoi trajneri më i vjetër në këtë turne. Nëse Anglia e eliminon Islandën në Stadiumin e Nisës, në çerekfinale do të përballet me Francën.

(Kosova Sot)