Argjentina i “rrëmben” Sevillas trajnerin Sampaoli?

  • 27 July 2016 - 16:13
Argjentina i “rrëmben” Sevillas trajnerin Sampaoli?

Aventura e Jorge Sampaolit në stolin e Sevillas mund të përfundojë pas vetëm disa javësh. Trajneri 56-vjecar i cili fitoi Kupën e Amerikës me Kilin në 2015-tën konsiderohet nga drejtuesit e federatës argjentinase të futbollit si njeriu i duhur për të marrë drejtimin e kombëtares albiceleste pas largimit të Gerardo Martinos. Krerët më të lartë të AFA-s kanë nisur tashmë nga puna dhe do të bëjnë gjithcka që kanë në dorë për të shkëputur Sampaolin nga Sevilla dhe për ta emëruar atë në krye të La Selecion. Sipas asaj që raportojnë media të ndryshme, drejtuesit e federatës argjentinase të futbollit po kërkojnë fondet e nevojshme për të paguar klauzolën e largimit të Jorge Sampaolit nga Sevilla që kap shifrën e 8,1 milionë Eurove.

Në datën 27 Qershor rreth një muaj më parë 56-vjecari nga Santa Fe firmosi një kontratë 2-vjecare me Sevillan duke pasuar në postin e trajnerit spanjollin Unai Emery i cili mori drejtimin e Paris Saint Germain-it. Për federatën argjentinase konsiderohet një mision i vështirë ai për të shkëputur Sampaolin nga Sevilla por jo i pamundur pasi edhe vetë trajneri argjentinas e sheh me sy të mirë marrjen e drejtimin të kombëtares së vendit të tij. Në pamundësi për të firmosur me Diego Simeonen, objektivi i parë i AFA-s për stolin e Argjentinës është pikërsisht Sampaoli. Dy alternativat e tjera nëse nuk i bëhet i mundur largimi i Sampaolit nga Sevilla, janë ato të Marcelo Bielsas dhe Edgardo Bauzas.

(Kosova Sot)