Icardi vlen më shumë se 60 milionë euro

  • 31 July 2016 - 09:22
Icardi vlen më shumë se 60 milionë euro

E ric Thohir nuk lëshon pe, Mauro Icardi vlen më shumë se 60 milionë euro. Presidenti i Inter-it është i qartë kur bëhet fjalë për strategjinë e afatit kalimtar në dalje, pasi kapiteni i skuadrës mbetet një nga objektivat më të lakmuara të tregut të futbollistëve me Napoli-n që vazhdon të qëndrojë në radhën e parë për të fituar shërbimet e tij."Icardi është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Ai është kapiteni i Inter-it.

E kemi refuzuar një ofertë prej 60 milionësh, sepse të gjithë synojmë të arrijmë shifra më të larta për të. Ne jemi një skuadër e rëndësishme dhe dëshirojmë t'i mbajmë lojtarët më të rëndësishëm. Gjatë dy viteve të shkuara kemi afruar 15 emra të rinj, por këtë vit do të jetë e vështirë të bëjmë të njëjtat goditje në afat kalimtar", deklaroi Thohir. Ëndrra e tij Në vijim të intervistës, numri një i klubit kërkon të mos polemizojë në distancë me trajnerin Roberto Mancini, i cili nuk e ka përtypur faktin që drejtuesit po tregohen shumë të ngathët në lëvizjet e afatit kalimtar. "Roli i trajnerit në një skuadër është vendimtar. Ne kemi marrëdhënie të mira, por ndonjëherë ka edhe fërkime.

Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të sjellë emra të rinj pasi tifozët dëshirojnë përherë lojtarë të klasit botëror. Po punojmë së bashku, ndërsa skuadra duhet të përqendrohet për t'u bërë sa më shumë dhurata", theksoi ai. Në fund, Thohir zbulon edhe ëndrrën e tij. Një blerje që Inter-i momentalisht e ka të pamundur. "Një lojtar që ëndërroj ta shikoj tek Inter-i në të ardhmen është një lojtar për skuadrën jo për mua. Lojtari që ëndërroj është Messi, një emër që çdo klub do të dëshironte ta kishte në organikë", përfundoi ai. 

(Kosova Sot)