Sportistë si Majlinda nuk “prodhohen” lehtë

  • 27 August 2016 - 10:35
 Sportistë si Majlinda nuk “prodhohen” lehtë

Shumë komponentë duhet të gërshetohen për të arritur majën

Majlinda Kelmendi së fundi ishte kryefjalë edhe në Këshill të Sigurimit të OKB-së. Me këtë rast sërish u dëshmua se sporti është ambasadori më i mirë i një vendi, andaj është momenti i fundit që institucionet tona të reagojnë dhe të fillojnë të mendojnë për sportin si diçka, me të cilën Kosova mund të vazhdojë të njihet botërisht

Procesi prej talentit deri te sportisti kulmor është i mundimshëm

Pas suksesit të Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, pritet të rriten edhe apetitet që në një të ardhme të afërt të kemi një tjetër sportist apo sportiste kulminante, që do të arrijë nëse jo nivelin e xhudistes sonë atëherë të paktën të afrohet. Megjithatë për të arritur të ashtuquajturën majë, sportistët kosovarë përveçse duhet të sakrifikojnë dhe të punojnë shumë, në anën tjetër duhet që edhe shteti t’u krijojë kushte për një gjë të tillë, pasi që aktualisht infrastruktura ligjore dhe sportive nuk flet në anën e tyre, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Platforma sportive e domosdoshme

Trajneri i mirënjohur i futbollit kosovar, Ismet Munishi, ka thënë se që Kosova të “prodhojë” një tjetër Majlindë Kelmendi duhet që së pari të hartohet platforma sportive, e cila, sipas tij, është më se e nevojshme për zhvillimin e sportit dhe sportistëve kosovarë. “E kam thënë edhe më parë se ne si shtet kemi nevojë për një platformë të sportit, ku do të bazohemi në të për të ‘prodhuar’ sportistë e sportiste kulmore. Në këtë platformë, e cila duhet të hartohet nga institucionet përgjegjëse për sportin në Kosovë duhet të zgjidhen 4-5 sporte nacionale, ku më pas do të përqendrohet puna për të nxjerrë talente, por edhe për të ndërtuar sportistë kulmorë. Deri më tani të arriturat e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare duhet të llogariten si të arritura individuale dhe asnjë Qeveri nuk ka të drejtë të krenohet se ka bërë diçka për ta. Në këtë rast të arriturat e Majlinda Kelmendit janë individuale, pasi ato janë bërë falë punës së madhe të trajnerit të saj Driton Kuka dhe investimeve që familja Kuka i ka bërë në palestër. Pra, suksesi i saj kryekëput lidhet me punën e pashoq të saj dhe të gjithë familjes Kuka”, është shprehur Munishi.

Arritjet kulminante në sport janë vështirë të arritshme

Në anën tjetër, ish-basketbollisti kosovar, Ismet Ferati, mendon se që Kosova të “prodhojë” një tjetër sportiste apo sportist të nivelit të Majlinda Kelmendit duhet bashkuar shumë komponentë: “Arritjet kulminante në sport janë vështirë të arritshme. Duhet shumë punë, sakrificë, kushte dhe përkrahje. Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, janë shembulli më i mirë që vullneti i madh, sakrifica, dhe me kushte të Kosovës arrihet maja e sportit botëror. Talent lind, mirëpo procesi prej talentit deri te sportisti kulmor është i mundimshëm. Për të arritur deri te nivelet që ka arritur Majlinda, duhet sakrificë. Jeta që e bëjnë moshatarët duhet të harrohet, duhet stërvitur minimum 6 orë në ditë, prindërit duhet ta përkrahin dhe të sakrifikojnë po ashtu sikurse fëmija, trajneri duhet të jetë 100% i gatshëm të japë maksimumin në çdo stërvitje dhe në fund shteti duhet t'ia mundësojë kushtet sa më të mira sportistit për stërvitje, gara, udhëtime. Të gjithë këta komponentë duhet të gërshetohen që të kemi një Majlinde tjetër, apo ndonjë sportist tjetër kulminant, sepse Majlinda Kelmendi është një dhe e vetme”.

Sportisti duhet ta ketë sportin profesion

Ndërkaq, kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK), Nehat Çitaku, ka thënë se që një pingpongist apo pingpongiste të arrijë majën duhet që të ketë të rregulluar infrastrukturën ligjore dhe atë sportive. “Kur them infrastrukturën ligjore, e kam fjalën që një sportist duhet ta ketë profesion sportin, e jo ta ketë si punë të dytë, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për trajnerin. Po ashtu, shteti duhet të kujdeset për krijimin e kushteve të infrastrukturës sportive, ku në pingpong nuk duhet shumë investim, pasi ne tashmë e kemi infrastrukturën sportive të rregulluar, por ka raste ku sportet e tjera kërkojnë kushte më specifike, të cilat medoemos duhet t’u plotësohen sportistëve, nëse mendojmë që pas katër vjetëve të kemi sukses në gara të nivelit botëror”, është shprehur Çitaku. 

(Kosova Sot)