Vonesat, përgjegjësi e institucioneve tona

  • 26 September 2016 - 11:12
Vonesat, përgjegjësi e institucioneve tona

Dallaveret në prokurorim në dhënien e tenderëve e kanë kapluar edhe sportin kosovar tash e sa vjet

Vonesa në punime ka pasur në palestrat kudo në Kosovë, si në Istog, Skenderaj, Rahovec, Deçan, Prishtinë, si dhe në disa stadiume të futbollit, ndërsa më parë palestra "Minatori" në Mitrovicë u pati bërë telenovelë, pasi rinovimi i saj ka zgjatur rreth 4 vjet. Kjo tregon më së miri për seriozitetin e institucioneve tona karshi infrastrukturës sportive, por edhe sportit në përgjithësi  

Infrastruktura sportive, në gjendje të mjerueshme

Sa herë që dëgjojmë lajmin se ka filluar ndërtimi i një objekti sportiv kudo në Kosovë, të gjithë sportdashësit e duartrokasin një veprim të tillë, i cili ndërmerret qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat në vendin tonë. Por, kënaqësia merr fund këtu, sepse kur fillon ndërtimi i palestrave sportive dhe fushave të futbollit, apo edhe vetëm rinovimi i tyre gjithçka sa vjen e koklavitet. Dhe, kjo ndodh në shumicën e rasteve për arsye se kompanitë që i fitojnë tenderët për punime të tilla nuk janë serioze, por që e kanë fituar tenderin për arsye se kanë qenë më të lira, apo edhe se kanë afërsi me njerëzit e prokurorimit te tenderët. Të paktën kështu mendon njohësi i sportit kosovar, ish-volejbollisti dhe trajneri, Naser Krasniqi, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Tenderë po fitojnë kompani që nuk janë të dëshmuara në treg

Përgjegjësinë për vonesat në ndërtimin apo rinovimin e objekteve sportive, sipas Naser Krasniqit, duhet ta marrin institucionet, në këtë rast Ministria e Sportit apo Kuvendet Komunale në vendin tonë, sepse ato janë fajtore që u japin tenderë kompanive që nuk janë serioze. Krasniqi është pronar i kompanisë “Ontexi” që merret me parkete. Kompania e tij ka marrë pjesë në rinovimin e palestrave anembanë Kosovës. “Kompania jonë ka qenë njëra ndër ofertueset për ndërrimin e parketit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. I kemi plotësuar të gjitha kushtet, por na kanë eliminuar, kinse për shkak të një dokumenti, që nuk jam tatimpagues i rregullt. Mirëpo, kjo nuk qëndron, pasi kompania jonë është ndër 5 kompanitë që ka paguar tatimet me rregull në lëmin e ndërtimtarisë. Këtë e kemi dëshmuar. Kemi bërë ankesë dhe jemi rikthyer sërish. Tenderi i parë është anuluar. Kur është hapur tenderi për herë të dytë, ka pasur kushte më speciale. Kompania jonë ishte e dyta, pasi kompania fituese ka ofruar 6 mijë euro më pak se ne. Por, firma fituese ka pasur shumë mangësi, pasi parketi i ofruar ka qenë më i hollë se ai i kërkuari. Ne kemi bërë ankesë sërish, por me kaq mbaron”, është shprehur Krasniqi kompania e të cilit ka marrë pjesë në punimet në 32 palestra në Kosovë, të mëdha dhe të vogla, duke përfshirë këtu edhe shkollat. “Sa i përket anës profesionale, mund të them se nuk marrin ekspertë të duhur dhe për këtë arsye dalin gabimet apo edhe vonesat. Pastaj vijnë vërejtjet te puna shtesë. Në këta tenderë po fitojnë kompani që nuk janë të dëshmuara në treg dhe ato që janë të afërta me njerëzit që punojnë në prokurorim. Duhet të seleksionohen kompanitë për t’i kryer punimet. Infrastruktura në Kosovë ka nevojë shumë që të përmirësohet. Kushtet në palestrat tona janë të mjerueshme. Palestra ‘1 Tetori’ është në gjendje të mjerueshme. Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është në kaos të tërë, madje nuk dihet as kush është pronari. Është mjerim”, ka shtuar Krasniqi.

Kërkohet përkujdesje e veçantë, janë para të tatimpaguesve

Ndërkaq, ish-futbollisti i njohur, tani edhe menaxher, Enis Fetahu ka thënë se me këtë mënyrë të udhëheqjes vështirë se mund të vijnë ditë të mira për sportin kosovar në përgjithësi. “Kemi 16 vjet që kemi dalë nga lufta dhe 8 vjet nga shpallja e pavarësisë dhe nuk kemi një fushë futbolli, derisa qeveritarët tanë kanë bërë miliona pasuri. Pra, me këtë mënyrë të udhëheqjes, është vështirë të bëhet diçka më shumë në sport. Pa e përdorur fshesën dhe për t’i larguar këta udhëheqës, e që për mua janë hajna, askush nuk do të vijë të investojë në klubet tona, madje as te na shikojnë”, ka thënë Fetahu. Ndërkohë, trajneri i njohur i hendbollit, Ismet Jupa ka theksuar se në sportin e Kosovës nuk po ka ndryshime, dhe se ligji për sport nuk po respektohet: “Unë kam dëgjuar për palestrën në Prishtinë se ka pasur vërejtje nga Komisioni për Pranim të Punimeve dhe për këtë arsye punimet kanë vonuar. Por, në përgjithësi në Kosovë, punimet nuk po kryhen ashtu si duhet. Asnjë punë nuk po përcillet ashtu siç duhet. Këto gjëra janë evidente. Zyrtarët që janë përgjegjës duhet të përkujdesen për këto punë, pasi janë para të tatimpaguesve. Unë shpesh herë e kam ngritur zërin, por ndryshime nuk po ka. Ligji për sport duhet të zbatohet dhe të gjithë të dinë përgjegjësitë e tyre. Ndryshime pozitive nuk po ka”. 

(Kosova Sot)