UEFA ‘kërcënon’ gjyqtarët

  • 27 September 2016 - 08:59
UEFA ‘kërcënon’ gjyqtarët

Futbolli ynë çdo ditë e më shumë merr lajme të mira

Përveç klubeve nga edicioni i ardhshëm, edhe gjyqtarët kosovarë pritet të gjykojnë ndeshje ndërkombëtare. Burime të gazetës na mësojnë se një treshe gjithsesi se do të dalë në arenën ndërkombëtare, por fillimisht ata duhet t'i plotësojnë disa kushte.

Krijimi i një shoqate të veçantë të gjyqtarëve dhe funksionalizimi më i mirë i shoqatave në çdo regjion të Kosovës, ka qenë kushti që delegacioni i UEFA-s i ka dhënë komisionit të gjyqtarëve të Kosovës, para se kjo të pranohet në Konventën e gjyqtarëve të UEFA-s. Të kujtojmë se ditë më parë një delegacion i UEFA-s për çështje të gjyqtarëve, e kanë vizituar Kosovën të cilët kanë pasur në takim me kreun e Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasanin, me të cilin kanë diskutuar për situatën e gjyqtarëve të futbollit e që në realitet përshtypja e tyre ka qenë e mirë dhe se përveç disa ndërhyrjeve, të cilat nuk duken shumë të mëdha, gjërat e tjera duken në nivel dhe se edhe gjyqtarët kosovarë shumë shpejt do të jenë pjesë e arenës ndërkombëtare. "Kur ta kemi një pasqyrë reale, do ta fillojmë punën dhe mbështetjen tonë që gjyqtarët kosovarë të jenë pjesë e Konventës së gjyqtarëve", ka thënë përfaqësuesi i gjyqtarëve te UEFA-s, pas atij takimi, duke dhënë kështu shpresa të mëdha se këmishëzinjtë tanë shumë shpejt do të jenë të barabartë me gjithë kolegët e tyre në botë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Përgatiten për gara ndërkombëtare

Gjithsesi, mosanëtarësimi në Konventën e gjyqtarëve të UEFA-s nuk mund të jetë lajm i mirë, por që kjo nuk i pengon gjyqtarët kosovarë që të gjykojnë ndeshje ndërkombëtare. "Ky delegacion nuk ka pasur kërkesa shumë të theksuara, të cilat mund të jenë të parealizueshme. Përveçqë është përmendur krijimi i një shoqate të veçantë të gjyqtarëve, e cila në njëfarë forme duhet të jetë e pavarur, nuk kanë vënë kritere të tjera. Pra, mendoj se është një kërkesë e thjeshtë, e cila shumë shpejt edhe mund të bëhet", ka thënë për gazetën një burim i afërt i gjyqtarëve kosovarë. "Të sqaroj se anëtarësimi apo jo në Konventën e gjyqtarëve në UEFA nuk do të thotë që gjyqtarët tanë nuk kanë të drejtë të referojnë në arenën ndërkombëtare, pra gjyqtarët munden pa problem të referojnë atje. E mira e anëtarësimit është se mundësohet marrja e fondeve të ndryshme nga UEFA në ndihmesë të gjyqtarëve", ka thënë burimi ynë, sipas të cilit gjyqtarët kosovarë janë në rrugë të mirë dhe se nga edicioni i ardhshëm një treshe kosovare sigurt do të shijojë arenën ndërkombëtare.

Nuza prek Evropën

Futbollit të Kosovës, pas pranimit në UEFA e FIFA, u janë hapur shumë dyer, e në mesin e tyre janë edhe gjyqtarët, të cilët varësisht nga performanca pritet nga edicioni i ardhshëm të gjykojnë ndeshje ndërkombëtare. Në bazë të vlerësimeve dhe performancës, padyshim më afër këtij realizimi është Genc Nuza, pasi ky gjyqtar kohëve te fundit po vlerësohet lart edhe nga trajnerët. I kontaktuar nga gazeta, gjyqtari më i mirë në Kosovë, Genc Nuza nuk ka dhënë koment, duke thënë se nuk është i informuar për këtë gjë. "Nuk kisha dasht me komentu, me rëndesi eshte mu prezantu, kush është i pari e kush i dyti nuk ka rëndesi”", ka thënë Genc Nuza. Gazeta gjatë ditës është munduar të kontaktojë edhe me kryetarin e Shoqatës së gjyqtarëve Përparim Hasanin, por kjo gjë ishte e pamundshme.

Marrin pajisjet, por nuk i përdorin

Këmishëzinjtë kosovarë, nga java e kaluar, kanë qenë të pasuruar me pajisje - kufje të dhuruara si donacion nga UEFA, mirëpo që ato nuk u panë që u shfrytëzuan nga gjyqtarët këtë vikend, derisa, sipas të gjitha gjasave, nuk do të përdoren as këtë mesjavë, për shkak se nuk kanë shumë njohuri si përdoren ato. Para se ato t'u ndahen gjyqtarëve, fillimisht do të mbahet një seminar sesi duhet përdorur. Të kujtojmë se disa gjyqtarë tanë tashmë kanë një përvojë me këto pajisje, pasi ishte arbitri Besfort Kosumi ai që me mjete të veta ishte pajisur me kufje dhe vazhdimisht ndeshjet i gjykonte me to. Kufjet, sipas gjyqtarëve, janë shumë efikase dhe ndihmojnë që ata të jenë më të sigurt në vendime, pasi komunikimi me asistent bën që të jenë më të sigurt në vendimet që marrin. Padyshim duhet pranuar se këta gjyqtarë deri tash qenë në një pozitë shumë të keqe, dhe pavarësisht kushteve të vështira që kanë pasur, e mbi të gjitha sigurinë jo në nivel, ata arritën të mbijetojnë dhe tash meritojnë të kenë tretman më të mirë.

(Kosova Sot)