KOK-u nuk jep shifra

  • 28 September 2016 - 10:02
KOK-u nuk jep shifra

SHPENZIMET E DELEGACIONIT KOSOVAR NË RIO

Mbi 60 zyrtarë të Kosovës ishin në Rio

Në Lojërat Olimpike të Rios, Kosova kishte paraqitjen e parë në një Olimpiadë. Kosova gjithashtu fitoi medaljen e artë me Majlinda Kelmendin, që ishte sukses historik. Të gjithë u ngritën në këmbë për Majlindën, e disa u munduan t'i marrin edhe meritat. Por, bujë të madhe mori edhe numri i madh i pjesëmarrësve në Lojërat Olimpike të Rios, ku u paraqiten vetëm tetë garues, derisa mbi 60 ishte numri i zyrtarëve kosovarë në këto gara. Kjo zgjoi shumë reagime, se a ka qenë e nevojshme që ky numër i madh i delegacionit të Kosovës të shkojë në Rio, dhe kush i ka mbuluar këto shpenzime, transmeton gazeta Kosova Sot.

Image

Proces që ende po vazhdon

Pas kthimit të delegacionit në Kosovë, shumë pyetje kishte se sa ka kushtuar pjesëmarrja e Kosovës në këto gara. Atëbotë nuk u dhanë shifra, derisa këto shifra nuk janë publikuar as pas më shumë se një muaji. Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, është shprehur se ky proces ende nuk ka përfunduar. "Ky proces po vazhdon edhe më tutje. Disa na kanë borxh, e disave u kemi borxh. Gjithashtu jemi duke pritur që disa shpenzime të na i heqë organizatori. Por, ne kemi bërë shpenzimet më minimale të mundshme, pasi kemi përfituar nga shumë programe e projekte. Është për t'u habitur se më shumë merren me çështjen e shkuarjes së delegacionit kosovar në Rio, sesa me suksesin e Majlinda Kelmendit. Ajo ka shkruar historinë, duke fituar medalje në Lojërat Olimpike. E, këtë nuk e kanë arritur shumë shtete, që marrin pjesë rregullisht në Olimpiada. Megjithatë, kur u tregoj të tjerëve për rëndësinë që kanë pasur këto gara, atëherë e kuptojnë se pse ka qenë e nevojshme që të shkohet me numër aq të madh", deklaroi Hasani për "Kosova Sot".

Tërë Bordi në Rio 

Në Rio udhëtuan tërë Bordi i Komitetit Olimpik të Kosovës. Hasani e arsyeton këtë. "Këto kanë qenë Lojërat e para Olimpike për ne. Është një përvojë e re për të gjithë ne. Natyrisht që kemi gjetur mënyra sesi ata të shkojnë, por shpenzimet ishin minimale. Mua nuk më intereson se kush ka qenë nga Ministria e Sportit, kush nga Kryeministria e kush nga Presidenca. Ne nuk i kemi mbuluar shpenzimet e tyre dhe nuk jemi përgjegjës për këtë. Sa i përket KOK-ut, kjo ka qenë një sfidë për të gjithë ne dhe sigurisht se do të na shërbejë për Olimpiadën e ardhshme në Tokio. Tashmë ne jemi duke përgatitur strategjinë për Lojërat e ardhshme Olimpike. Kemi më shumë përvojë dhe besoj se do të kemi më shumë edhe norma olimpike. Nëse shkojmë me më shumë norma, atëherë rriten edhe ambiciet. Rasti i fundit është i boksieres, Donjeta Sadiku, e cila u shpall kampione e Evropës. Kjo tregon se kemi shumë potencial dhe na pret një rrugë e gjatë deri në Tokio. Ne kemi edhe zgjedhjet në KOK, që do të mbahen më 9 dhjetor, por para kësaj kemi edhe Kuvendet Zgjedhore që do të mbahen nëpër federata. Normalisht se edhe ne jemi duke monitoruar sesi po shkojnë këto zgjedhje dhe dërgojmë një delegat për t'i monitoruar nga afër", theksoi Besim Hasani.

(Kosova Sot)