< Keqmenaxhimi po i FUNDOSIN KLUBET - Sport - Kosova Sot
Keqmenaxhimi po i FUNDOSIN KLUBET

Keqmenaxhimi po i FUNDOSIN KLUBET

E dicioni i sivjetmë në futboll vërtet po duket joshës dhe ndryshe nga të tjetër, kjo pasi rivaliteti në luftë për pozitën e parë është shumë i madh. Diferenca e ngushtë e pikëve po i mban klubet në presion, por edhe të motivuara për të kërkuar më shumë. Megjithatë, ajo që po bie në sy kohëve të fundit pa dyshim është menaxhimi jo i mirë i disa skuadrave, madje edhe atyre që kanë bukur shumë traditë. Besa e Pejës cilësohet si njëri nga klubet më të trofeshme në vendin tonë, por ja që sivjet problemet e mëdha që e kanë kapluar këtë skuadër, janë gati ta çojnë në humnerë. Ishte e dhimbshme të shohësh Besën në sfidën e fundit, e cila më juniorë u munda t'i kundërvihet Feronikelit dhe në fund humbja me rezultati 5:0, tregoi gjithçka. Hiq më mirë nuk po kalon as Vëllaznimi i Gjakovës, i cili duket se ka probleme financiare, e këtë sikur e dëshmon largimi në mënyrë të befasishme i trajnerit Ismet Munishi. Në një situatë shumë të keqe është Vllaznia e Pozhoranit, por kjo jo pse ka probleme financiare, por pse ka bërë investime të gabuara, ngjashëm si Flamurtari i Prishtinës, i cili u rikthye në elitë me shumë entuziazëm, por ia që sot është në pjesën e fundit të tabelës. Për krejt këto probleme, fajtori kryesor duket se është keqmenaxhimi. Njohësit e futbollit vlerësojnë se klubet janë në duart të njerëzve që nuk e njohin mirë lojën e futbollit dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi.

Vllaznia, Flamurtari e Besa...

Njëri nga futbollistët që dha shumë për futbollin e Kosovës, Valmir Bytyçi, e pranon që sivjet kampionati është joshës, por duket se problemet janë të ngjashme sikur ato të viteve të kaluar dhe kjo krejt për shkak të menaxhimit. "Para kampionatit shumë ekipe kanë synime të mëdha, e që pastaj nuk dalin siç e kanë menduar, kjo për shkak të menaxhimit jo profesional. Mund të them që Vllaznia është një skuadër që ka investuar shumë, por ja që rezultatet nuk erdhën as në fillim e as me kalimin e kohës. Flamurtarit i kushtoi shumë incidenti me Vëllaznimin, ndërsa tek Besa mendoj që gjërat kanë mundur të shkojnë më mirë po ja që ngecën në rrugëtim", ka thënë Valmir Betyçi për gazetën "Kosova Sot", duke i etiketuar këto tri klubet si me problemet më të mëdha, derisa për skuadrat e tjera ka thënë se tash për tash janë afër me realitetin.

Përgjegjësia te drejtuesit

Ish-portieri i Përfaqësueses së Kosovës ka thënë se është shumë vështirë të adresohet saktë se te kush duhet të bie përgjegjësia kur shohim një klub që po ka probleme të mëdha financiare, organizative dhe te rezultateve. Megjithatë, sipas tij një rol të madh në këtë luan menaxhimi. "Është vështirë të thuhet dhe të saktësohet se ku është defekti, nëse nuk je pjesë e atij klubi dhe nuk e dinë në brendësi problemin. Gjithsesi, mendoj se në disa klube financat janë shkaktar i problemeve, por shpesh shohim klube që nuk kanë probleme financiare, por rezultatet nuk janë askund, kjo ndodh pasi afrohen lojtarë "ad hoc" dhe komponimi i tyre është i vështirë. Mbetet të shihet çfarë do të ndodh në vazhdim dhe si do ta tejkalojnë këtë gjendje ato. Ajo që do të doja më shumë është që Besën ta shohë sa më parë të dalë nga kjo mjegulli që e ka dhe të kthehet te rezultatet sa nuk është shumë vonë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" Valmir Bytyçi.

(Kosova Sot)

3 orë e 25 minuta më parë